Kandidati i LDK-së për deputet: Vrasjet politike kanë adresë PDK-në dhe SHIK-un - Bota Sot
Kandidati i LDK-së për deputet: Vrasjet politike kanë adresë PDK-në dhe SHIK-un

Aktuale

Kandidati i LDK-së për deputet: Vrasjet politike kanë adresë PDK-në dhe SHIK-un

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 14:11
Adem Salihaj dhe Vjosa Osmani

Janë rikthyer akuzat për vrasjet e pasluftës në kohën kur Kosova po hyn në fazën finale të zgjedhjeve parlamentare. Njëri prej kandidatëve të LDK’së për deputet po thotë se Partia e Kadri Veselit është adresa e vrasjeve politike në Kosovë. Adem Salihaj përmend edhe SHIK’un dhe partitë tjera që mund të kenë gisht në vrasjet e pasluftës.

Ish-Zëvendëskryeministri Adem Salihaj s’ka asnjë dilemë se kush është adresa e vrasjeve politike të ndodhura pasluftës në Kosovë.

Për vrasjen e më shumë se 100 zyrtarëve të LDK’së, Salihaj po e bën përgjegjëse Partinë e Kadri Veselit dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK’un).

Këto akuza Salihaj i ka thënë disa ditë pasi ka marrë konfirmimin e Partisë se ndodhet në listën e deputetëve të LDK’së.

“Po të mos mendojmë se i kryer SHIK’u dhe strukturat e PDK’së atëherë duhet të mendojnë se dikush ka ardhur nga një planet tjetër dhe i ka kryer këto vrasje”, ka thënë Salihaj duke dhënë shpjegime tjera.

“Të gjitha gjurmët, të gjitha hetimet që janë bërë edhe nga EULEX’i dhe strukturat e pushtetit në Kosovë çojnë te PDK’ja dhe SHIK’u. Por, jo vetëm te PDK’ja por nuk përjashtohen as partitë tjera sepse këto struktura janë të përbashkëta. Të këtyre tri partive”, ka shtuar ai.

Adem Salihaj përpos pozitës së Zëvendëskryeministrit në Qeverinë LDK-AAK ka mbajtur edhe pozita tjera si deputet dhe Drejtor i stacionit të autobusëve në Ferizaj.

Në zgjedhjet e fundit, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, s’e kishte kandiduar Adem Salihajn për deputet pasi s’ishte pajtuar me qëndrimet e liderit të partisë.

Tash, Salihaj thotë se Mustafa dhe LDK kanë ndryshuar. Sidomos në raport me PDK’në e Kadri Veselit.

“Së pari, në LDK janë bërë ndryshime jashtëzakonisht të mëdha në koncept. Qasja e LDK’së në raport me pritjet e elektoratit të LDK’së kanë ndryshuar dukshëm. Kështu, që tash 100 për qind qëndrimet e LDK’së janë në përputhje me qëndrimet e elektoratit rugovist të LDK’së. Edhe koncepti, edhe njerëzit janë krejt ndryshe dhe me kandidimin e Vjosa Osmanit mendoj se kjo kthesë në konceptin e LDK’së do të shënojë kthesë edhe për fitoren e LDK’së”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se vendimi i LDK’së për ta kandiduar është pasojë e vlerësimit të qëndrimeve të tij në raport me PDK’në. Ka thënë se tash Isa Mustafa ka vendosur të krijojë një unitet brenda Partisë për ta nxjerrë LDK’në të parën.

“Njerëzit gjithmonë e rishikojnë të kaluarën. I Rishikojnë edhe gabimet. Rishikimi ka filluar pikë së pari nga Isa Mustafa. Ka krijuar një unitet maksimal në LDK. Është duke përafëruar konceptet. Ka qenë një unitet i Kryetarit, Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se edhe kundërshtuesit e PDK’së tash janë pjesë e listës së LDK’së.

Adem Salihaj thotë se kur LDK ta marrë pushtetin punën e parë që duhet ta bëjë është t’i çlirojë institucionet prej krimit të organizuar dhe strukturave kriminale.

“Institucionet që kanë brenda PDK’në dhe SHIK’un dhe krimin e organizuar do ta degradojnë shtetin siç e kanë degraduar deri më tash. Dhe, lufta jonë e parë dhe kryesore duhet të bëhet ndaj këtyre strukturave kriminale që janë futur në të gjitha segmentet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Salihaj, që është renditur i 50’ti në listën e LDK’së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...