Njerëz të dyshuar e të dënuar në listën e PDK-së

Aktuale

Njerëz të dyshuar e të dënuar në listën e PDK-së

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 19:53
Kadri Veseli

Partia Demokratike e Kosovës, pas shumë diskutimeve e mospajtimeve brenda partisë, ka vendosur ta publikojë listën e kandidatëve të saj për deputetë.

Megjithëse u tha se kjo listë do të ishte e pastër, me një shikim bien në sy emra si ai i ish-kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajlit, ish-komandantit Rrustem Mustafa, dhe ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj.

Në mars të 2014-ës, Xhemajli ishte dënuar me 2 vjet burgim për aksidentin që e kishte shkaktuar në dalje të Prishtinës, ku si pasojë kishte vdekur një person dhe ishin lënduar disa të tjerë.

Me vendimin e gjykatës nuk ishin ndarë të kënaqur as familja e të ndjerit, Rrustemi të cilët po ashtu kishin paralajmëruar ankesë për këtë vendim. Ata kanë thënë se vendimi mund të jetë politik duke pasur parasysh ndikimin e Xhemajlit dhe funksionin që ka pasur.

Ish-kryetari i Ferizajt ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim më 2010, por dënimi nuk ishte ekzekutuar asnjëherë, pasi gjykata disa herë e kishte shtyrë atë me kërkesë të Bajrush Xhemajlit. Pavarësisht kësaj, ai ndodhet i 14ti në listën e kandidatëve për deputetë.

Me numrin 38 në listën e PDK-së është edhe ish-rektori i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, Ramë Vataj. Ai në mars të vitit 2017 ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të mosrespektimit të procedurave për punësimin dhe angazhimin e personelit akademik.

Inspektorët që kishin inspektuar punën e ‘Ukshin Hotit’, evidentuan shumë parregullsi në rekrutimin e stafit dhe mos respektimin e konkurseve.

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, në vitin 2013, bashkë me dy pjesëtarë të tjerë të “Grupit të Llapit”, u dënuan për krime të luftës kundër popullatës civile. Mustafa u dënua me 13 vjet burgim, në një vendim që e ndërmori një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it, shkruan Sinjali.

Gjykata Supreme i kishte zbutur atij dënimin në vetëm 4 vjet burg. Gjithsesi ai ishte liruar nga burgu rreth tetë muaj para se të shlyente dënimin e plotë.

Mustafa gjithashtu është intervistuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Në listën e publikuar, ai ndodhet në vendin e 37.

Si duket, as pas zotimeve të përditshme, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ‘nuk ka mundur’ t’i gjejë 110 njerëz të padënuar për t’i kandiduar për deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat