Pak shqiptarë votuan në Medvegjë, Serbia i ka fshirë nga listat

Aktuale

Pak shqiptarë votuan në Medvegjë, Serbia i ka fshirë nga listat

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 20:07
Medvegjë

Një grup qytetarësh në mënyrë të organizuar nga Prishtina, kanë marrë rrugën për në Medvegjë, ku të dielën u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale.

Ata erdhën këtu në fshatin e tyre Topallë, njërën nga qendrat më të mëdha të votimit për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.

Minire Hajdini thotë se pavarësisht që u detyruan ta braktisnin vendlindjen, duan ndryshime pozitive për shqiptarët këtu.

Por, jo të gjithë arritën të votonin, pasi emrat e tyre janë fshirë nga regjistrat civilë.

Shumë qytetarë që erdhën për të shfrytëzuar të drejtën e votës këtu në Topallë u kthyen mbrapsht pasi emrat e tyre nuk i gjetën në listat zgjedhore. Para katër vjetësh kur u mbajtën zgjedhjet e fundit lokale këtu në listat zgjedhore figuronin 1058 votues ndërsa sot kanë mbetur vetëm 407.

Qytetarët janë të zhgënjyer me veprimet e shtetit serb dhe kërkojnë që kjo të zgjidhet nga ndërkombëtarët.

Megjithatë, 28 vendvotimet u hapën me kohë dhe gjatë procesit zgjedhor, nuk u shënua ndonjë incident.

Qytetarët e Medvegjës në këto zgjedhje do të zgjedhin 25 asamblistë të rinj, të cilët më pas, do të votojnë Kryetarin e Komunës. Muharrem Salihu, bartës i listës nga koalicioni shqiptar Alternativa për ndryshim dhe Partia Demokratike, nuk ka pritje të mëdha se do të dalin fitues.

Përveç koalicionit shqiptar, në këto zgjedhje po garojnë edhe SNS-ja e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Partia për Veprim Demokratik, derisa u bojkotuan nga partia opozitare, Lidhja për Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat