Vetëvendosje me deputetët më të pasur: Lë shumë prapa PDK-në dhe LDK-në

Aktuale

Vetëvendosje me deputetët më të pasur: Lë shumë prapa PDK-në dhe LDK-në

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 18:34
Foto Ilustrim

Kosova po pret me ankth zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Nuk është një ankth që ka të bëj me fatin e vendit, aq sa ka të bëj me argëtimin që fiton kur sheh emra e trupa, disa të pëlqyer e disa të papëlqyer.

Duke qenë se të gjitha partitë politike në mënyrë brutale po shpërfillin qytetarët e shtresës së varfër të vendit, duke mos prioritetizuar politikat sociale, Periskopi mendoi të shihte pasurinë e të paktën 10 kandidatëve të parë të tri partive politike, PDK, LVV dhe LDK. Marksi thotë: “Më trego pozitën ekonomike, të tregoj se çfarë idesh ke”.

Te Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës u desh të zëvendësonim disa deputetë të dhjetëshes së parë me deputetët që pasonin, duke qenë se për ta nuk kishte të dhëna në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Te partia e udhëhequr nga Kurti u desh të zëvendësonim Yllza Hotin, Haki Abazin dhe Arbërie Nagavcin me Xhelal Sveçlën, Fitore Pacollin dhe Ismajl Kurteshin. Te PDK-ja zëvendësuam dy gratë e sapoaderuara, Eliza Hoxhën dhe Besa Ismailin me Safete Hadërgjonajn.

Në këtë artikull nuk janë të përfshira detyrimet financiare që ndodhen në deklarimin e AKK-së.

Sa i përket pasurisë së paluajtshme prin Lëvizja Vetëvendosje, që ka deklaruar 5 milionë e 71 mijë Euro. Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës që ka deklaruar 4 milionë e 236 mijë Euro. E fundit është Lidhja Demokratike e Kosovës me pasuri të paluajtshme prej 4 milionë e 110 mijë euro.

Më i pasuri te LVV është Xhelal Sveçla, të cilit i duhen vetëm edhe 50 mijë për ta rrumbullakuar shifrën e 2 milionëve. I pasur është edhe Arben Vitia, që ka 1 milionë e 45 mijë euro. Te PDK-ja më e pasura është Blerta Deliu Kodra me 1 milion e 340 mijë euro. Ndërkaq te LDK-ja, më e pasura është prijësja Vjosa Osmani, që ka 950 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Sa i përket veturave, këtu prin PDK-ja me 154 mijë euro së bashku. Pas saj është LDK-ja me 96 mijë ndërsa e fundit është VV me 91 mijë.

Edhe te paratë e gatshme prin PDK-ja me 381 mijë Euro. E dyta është dhjetëshja e LDK-së me 257 mijë ndërsa e fundit është LVV me 76 mijë.

*Deputetët e PDK-së: Kadri Veseli, Hajredin Kuçi, Enver Hoxhaj, Valon Murati ,Memli Krasniqi, Bedri Hamza, Blerta Deliu Kodra, Uran Ismaili, Xhavit Haliti, Safet Hadërgjonaj;

*Deputetët e VV-së: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Liburn Aliu, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Xhelal Sveçla, Rexhep Selimi, Fitore Pacolli, Ismajl Kurteshi;

*Deputetët e LDK-së: Vjosa Osmani Sadriu, Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Lirije Kajtazi, Besian Mustafa, Driton Selmanaj, Hykmete Bajrami, Dortuntinë Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat