IFIMES: Shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama do të mundësonte fillimin e punëve të mira në Ballkan - Bota Sot
IFIMES: Shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama do të mundësonte fillimin e punëve të mira në Ballkan

Aktuale

IFIMES: Shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama do të mundësonte fillimin e punëve të mira në Ballkan

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 12:40
Thaçi e Rama

Instituti slloven IFIMES, përveç zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ka bërë një analizë edhe rreth vendimit të fundit të Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer si përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor.

Një vendim i tillë në analizë thuhet se vjen për shkak të gjendjes së tensionuar në Ballkan, gjë për të cilën IFIMES thotë se është si rezultat i mungesës së SHBA’së në rajon.

Megjithatë instituti slloven e sheh si problem faktin që shtetet perëndimore kanë ndërtuar partneritet në Ballkan kryesisht me “struktura politiko-kriminale”.

Prandaj Instituti slloven thotë që “SHBA’ja duhet të punësojë agjencitë e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, ashtu siç ka bërë Italia pas Luftës së Dytë Botërore”.

IFIMES si hap të parë propozon që të caktohen ata individë apo politikanë që veprojnë si faktor shkatërrues.

“Kështu pritet që së shpejti disa emra të rinj nga rajoni të futen në listën e zezë të administratës amerikane”, thuhet në këtë analizë të IFIMES.

Pa u dekriminalizuar shtetet e Ballkanit, IFIMES konstaton se nuk do të jetë e mundur që të kryhet ndonjë proces serioz politik që do të siguronte zhvillim ekonomik, paqe dhe stabilitet afatgjatë.

“Prandaj është me rëndësi jetike që këto procese të koordinohen me BE-në, pasi që në shumica e fondeve përfundojnë në duart e krimit dhe korrupsionit”, potencon tutje analiza.

Në fund IFIMES thotë se pika fillestare që do t’i mundësonte Matthew Palmerit të bënte një punë të mirë do të ishte shkatërrimi i dyshes Thaçi-Rama.

“Shkatërrimi i dyshes së regjimit Thaçi-Rama ndoshta do të ishte pika më e mirë që do të shërbente si shembull i mirë për punën e Palmerit si i dërguar special në Ballkan”, konstaton IFIMES.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat