Gjykata Themelore në Prishtinë tregon arsyen e arrestimit të tre inspektorëve komunalë - Bota Sot
Gjykata Themelore në Prishtinë tregon arsyen e arrestimit të tre inspektorëve komunalë

Aktuale

Gjykata Themelore në Prishtinë tregon arsyen e arrestimit të tre inspektorëve komunalë

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 16:12
Foto

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prishtinë më datë 08.09.2019, në orën 15:45, me udhëzim të prokurorit janë arrestuar tre inspektorë, nën dyshimin se të njëjtit kanë shpërdoruar pozitën zyrtare.

Sipas njoftimit të policisë, me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelorë në Prishtinë, Laureta Ulaj, në një deklaratë dhënë Telegrafit lidhur me këtë rast ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

“Më 08.09.2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar për 48 orë një (1) person, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, ndaj të njëjtit, prokurori i shtetit ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me ç’ rast Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak”, ka thënë ajo.

Ndërsa Ulaj ka thënë se ky rast ka të bëjë me shembjen e dheut në rrugën “Nekibe Kelmendi” në Hajvali.

“Lidhur me rastin e njëjtë, më 09.09.2019, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë tre (3) persona, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Rasti ka të bëjë me shembjen e dheut në rrugën ‘Nekibe Kelmendi’ në Hajvali. Nga dëmtimi i rrugës për në Pallatin e Drejtësisë, e cila me mihjen përskaj rrugës është dëmtuar në atë masë sa që është e pakalueshme dhe në çdo moment paraqet rrezik për trafikun rrugor”, ka thënë Ulaj.

Sipas saj, Inspektoriati Komunal i Prishtinës është njoftuar për të parandaluar shembjen e rrugës.

“Po ashtu, ju njoftojmë se para dy muajve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është lajmëruar Inspektorati Komunal i Prishtinës, mirëpo nga ajo kohë e deri më sot nuk është marrë ndonjë veprim për të parandaluar shembjen e rrugës, me ç’ rast ka rezultuar me veprimet e lartcekura nga prokuroria”, ka thënë ajo.

Ndryshe drejtori i Inspektoriatit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se nuk kanë njoftim zyrtar për ndalimin e inspektorëve.

“Nga mediat kemi marr vesh që janë ndaluar për 48 orë, nuk kemi njoftim zyrtar. Mbase prokuroria mund të jep më shumë detaje”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...