Analisti politik: Bolton s’u shkarkua për shkak të Kosovës, por “vetëm kjo gjë atij ia hëngri kryet”

Aktuale

Analisti politik: Bolton s’u shkarkua për shkak të Kosovës, por “vetëm kjo gjë atij ia hëngri kryet”

Nga: A.ZH Më: 11 shtator 2019 Në ora: 15:13
John Bolton

Analisti politik Vigan Qorrolli, ka komentuar shkarkimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, nga presidenti amerikan Donald Trump.

Qorrolli ka thënë se shkarkimi i tij, është lajm spektakolar për Kosovën, mirëpo largimi i Boltonit, sipas tij, nuk vjen si pasojë e mendimeve të tij rreth Kosovës.

Qorrolli ka theksuar se largimi i Boltonit pas tensioneve të Amerikës me Kinën dhe Rusinë, përkatësisht mosmarrëveshjet mes tij dhe Trumpit.

“Bolton ishte i paqëndrueshëm dhe u bë i pabesueshëm për raportet amerikane me Kinën dhe Rusinë — dhe vetëm kjo gjë atij ia hëngri kryet’”, ka shkruar Qorrolli në një postim në Facebook.

Reagimi i plotë i Qorrollit:

T’i kthehemi pak gjeopolitikës: Largimi i John Bolton nga administrata e Trump është padyshim një lajm spektakolar për Kosovën, njëjtë si paraqitja e futbollistëve mbrëmë në Angli.

Por largimi i Bolton nuk vjen si pasojë e mendimeve të tij rreth Kosovës. Ky largim vjen pasi që tensionet me Iranin janë përshkallëzuar në Gjirin Persik, Koreja e Veriut vazhdon t’i rrisë kapacitetet e saj militare, derisa ekspertët e kontrollit të armëve paralajmërojnë për një garë të mundshme për armë bërthamore me Rusinë - dhe në fund tensionet tregtare të Amerikës me Kinën janë rritur.

Mosmarrëveshje të mëdha midis Trump dhe Bolton kishte edhe rreth vendimit të Presidentit për të pritur drejtuesit e Talibanëve në Camp David, kjo dukej se ishte kashta e fundit mes tyre.

Për Kosovën kjo s’ka asnjë rëndësi. Politika e jashtme e saj nuk varet nga një person çmendurak siç ishte Bolton, apo cilido që do e pasojë atë.

Naivisht disa njerëz politik në Kosovë i pash tek thonë që është largimi i Boltonit është fitore për mosndarjen e saj. Ky është besim në Babadimër.

Bolton ishte i paqëndrueshëm dhe u bë i pabesueshëm për raportet amerikane me Kinën dhe Rusinë — dhe vetëm kjo gjë atij ia hëngri kryet’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat