Vetëvendosje ankohet për mënyrën e votimit nga diaspora por pret mbështetje të madhe - Bota Sot
Vetëvendosje ankohet për mënyrën e votimit nga diaspora por pret mbështetje të madhe

Aktuale

Vetëvendosje ankohet për mënyrën e votimit nga diaspora por pret mbështetje të madhe

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 14:34
Ilustrim

10 shtatori ka qenë afati i fundit që mërgimtarët kanë mundur të regjistrohen për të votuar përmes postës në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës qe do të mbahen më 6 tetor. Mërgimtarët të cilët janë regjistruar suksesshëm duhet të përgatitin pakon me fletëvotim dhe nga data 18 shtator deri më 4 tetor kanë afat që ta dërgojnë atë me postë në adresën e KQZ-së. Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se së shpejti do të kenë raportin lidhur me numrin e aplikimeve që kanë ardhur përmes postës. Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që presin rritje të votave nga mërgata qoftë përmes votimit me postë apo pjesëmarrje direkt në zgjedhje. Ai ka kritikuar mënyrën se si votohet nga mërgata duke thënë se kjo formë është pengesë për përfshirjen e tyre në zgjedhje.

Sipas të dhënave në uebfaqen e KQZ-së në zgjedhjet e vitit 2017 për Kuvendin e Kosovës në votat me postë kanë qenë gjithsej 5201 fletëvotime prej të cilave 5076 kanë qenë të vlefshme.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë se tani do të shqyrtohen aplikacionet që kanë ardhur nga mërgata dhe pas futjes së të dhënave do të kenë numrin e saktë të votuesve jashtë Kosovës.

“Mbështetur edhe në Planin Operacional ka filluar faza tjetër që ka të bëjë me shqyrtimin e aplikacioneve, futjen e të dhënave, vlerësimin e zotësisë juridike si dhe në fund është njoftimi i aplikuesit lidhur me statusin e aplikimit. Pas shqyrtimit të aplikacioneve, futjes së të dhënave, vlerësimit të zotësisë juridike – ne do të kemi të dhëna se sa persona janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, kishte dalur subjekti më i votuar nga mërgata, kështu votat e tyre ia kanë mundësuar që VV-ja të fitojë edhe një ulëse plus në Kuvend.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje njëherit edhe anëtar i kësaj partie në KQZ ka thënë për Express se në zgjedhjet e vitit 2017, kjo parti ka pasur rreth 2500 vota nga mërgata.

Rrustemi ka thënë se po presin rritje të votave nga mërgata për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me zgjedhjet e 2017-tës.

“Mbështetja e mërgatës për Lëvizjen është e madhe, ashtu siç është interesimi dhe vlerësimi i Lëvizjes për rolin e mërgatës. Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi pret  që në këto zgjedhje jo vetëm të dalë subjekti më i votuar, por edhe të shtojë numrin e votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Në këtë drejtim, ne presim që të kemi rritje të votave edhe nga mërgata”, tha Rrustemi

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ është shprehur se mënyra aktuale e votimit të mërgatës është pengesë për përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor.

“Mënyra aktuale e votimit të mërgatës është më shumë pengim se sa përfshirje e tyre. Dhe kjo bëhet nga pushteti ndër të tjera, sepse Lëvizja Vetëvendosje ka përkrahje masive.  Në mungesë të votimit në ambasada e konsullata, bashkatdhetarët duhet të kalojnë nëpër procedura të ndërlikuara të regjistrimit e të votimit”, tha ai.

Rrustemi tha që akoma nuk kanë shifër zyrtare të atyre që janë regjistruar për të votuar nga mërgata.

“Ende nuk kemi një shifër zyrtare të atyre që janë regjistruar nga mërgata, ne presim mbështetje të madhe të bashkatdhetarëve qoftë duke votuar përmes postës, qoftë duke ardhur direkt në Kosovë më 6 tetor”, ka thënë ai. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...