Takimi i Vishegradit nën hijen e debateve për Kosovën

Aktuale

Takimi i Vishegradit nën hijen e debateve për Kosovën

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 19:20
Takimi i Vishegradit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të enjten, se nuk mori pjesë në takimin e Vishegradit që i zhvilloi punimet në kryeqytetin e Republikës Çeke, për shkak të angazhimeve rreth zgjedhjeve në Kosovë.

Takimi i vendeve të Vishegradit ku bëjnë pjesë Çekia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin e Evropës juglindore dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Vendimi i zotit Haradinaj për të mos marrë pjesë në këtë takim u publikua një ditë pasi që presidenti çek, Milosh Zeman, tha në Beograd se do të diskutojë me zyrtarët e lartë të vendit të tij për mundësinë e tërheqjes së njohjes së Kosovës, të cilën Çekia e ka njohur në maj të vitit 2008.

Por, zoti Haradinaj në një postim në rrjetet sociale as që e përmendi këtë çështje si arsye për mospjesëmarrje.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 (grupi i Vishegradit) dhe WB6 (vendet e Ballkanit Perëndimor), nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falënderimet e sinqerta Kryeministrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, shkroi ai.

Deklaratat e presidentit çek nxitën shumë reagime në Çeki, ku zyrtarë të qeverisë dhe senatit thanë se ideja e tij është joreale.

Të enjten kryeministri çek, Andrej Babish tha se “nuk sheh asnjë arsye që qeveria çeke të ndryshojë qëndrimin e saj" ndaj Kosovës.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e cilësoi joreale mundësinë që Çekia të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të enjten ambasadori amerikan në Çeki, Stephen B. King, takoi në Pragë të ngarkuarin me punë në ambasadën e Kosovës, Arbër Vllahiu, sic shkroi ai në rrjetet sociale “për të ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për një Republikë sovrane e të pavarur të Kosovës, të integruar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare”.

Në takimin e sotëm të grupit të Vishegradit, kryeministrat e vendeve anëtare të grupit miratuan një deklaratë në mbështetjen të zgjerimit të Bashkimit Evropian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri çek tha se politika e zgjerimit është “instrumenti më efektiv për nxitjen e qëndrueshmërisë, sigurisë, demokracisë dhe përparimit në Ballkanin Perëndimor. Siguria në Ballkan gjithashtu nënkupton sigurinë në Evropë", tha ai.

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Tashmë Mali i Zi dhe Serbia i kanë të hapura negociatat, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia presin që kjo të ndodhë muajin e ardhshëm.

Rruga evropiane e Kosovës që shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Por procesi i bisedimeve është pezulluar që nga viti i kaluar kur Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së saj../VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat