Kosova shkakton përçarje në Pragë, edhe komunistët e Çekisë kërkojnë tërheqjen e njohjes

Aktuale

Kosova shkakton përçarje në Pragë, edhe komunistët e Çekisë kërkojnë tërheqjen e njohjes

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 11:02
Presidenti çek dhe lideri komunist çek

Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës ka shkaktuar debate të mëdha në shtetin e Çekisë.

Gjithçka nisi me deklaratat e presidentit çek në Beograd, Milos Zeman, se Çekia do ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Deklarata të tilla shkaktuan pakënaqësi të mëdha në Kosovë, dhe në një situatë të tillë, Prishtina zyrtare refuzoi të marrë pjesë në Samitin e Kryeministrave në Pragë.

Në përkrahje të deklaratave të presidentit Zeman, së fundmi ka dalë edhe Partia Komuniste në Çeki.

Lideri i partisë Komuniste atje, Vojtech Filip ka thënë se përkrah deklaratat e Zeman. Sipas tij tërheqja e njohjes duhet të bëhet sepse në Ballkan kanë ndodhur luftëra që nuk janë aprovuar nga OKB, dhe se sipas tij bombardimi i Jugosllavisë ka qenë krim.

“Në Ballkan kanë ndodhur luftëra që nuk kanë qenë të pranuara nga OKB-ja, dhe bombardimi mbi Jugosllavinë ka qenë krim lufte”, ka thënë ai.

Madje sipas tij, edhe vet njohja e Kosovës nga Çekia nuk është e kompletuar. Këto deklarata ai i bazon në faktin se shteti çek ende nuk ka ambasador në Kosovë.

Partia e Komunistëve në Çeki është e përfaqësuar edhe përmes bllokut të Partive të Majta të Nordikut në Parlamentin Evropian.

Sidoqoftë, deklarata të tilla mund të mos kenë efekt në shtetin çek.

Kryeministri i këtij shteti, dje para mediave në Pragë tha se Çekia nuk ka arsye të ndryshoj qëndrim rreth pavarësisë së Kosovës.

Kjo deklaratë përbënte demant të asaj çka tha kryeminsitrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila pretendonte se kishte marrë premtime nga homologu i saj çek për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat