Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve se nën kërcënimin e armës kryen mbi 20 grabitje - Bota Sot
Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve se nën kërcënimin e armës kryen mbi 20 grabitje

Aktuale

Dështon gjykimi ndaj të akuzuarve se nën kërcënimin e armës kryen mbi 20 grabitje

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 12:14
Seanca

Ka dështuar të mbahet seanca e së premtes, në rastin ku Eset Dragusha dhe Albert Leci po akuzohen se nën kërcënimin e armës kanë kryer mbi 20 grabitje në biznese të ndryshme.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Leci, avokatit Aziz Rexha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes prezantoi prokurorja Fitore Sadiku, i dëmtuari Xhemajl Maliqi, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragusha, avokati Nexhat Shabani

Avokati Shabani, e njoftoi gjykatën se avokati Aziz Rexha për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk ka mund të marr pjesë në seancë, por siç tha ai, kolegu i tij i kishte thënë se do ta dërgonte një avokat me autorizim zëvendësues.

E lidhur me këtë, gjykatësja Violeta Namani, pas një pauze të shkurtër, njoftoi se kontaktuan me avokatin Aziz Rexha, i cili përmes telefonit kishte njoftuar se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore nuk kishte prezantuar në seancë.

Ndërsa, avokati me autorizim zëvendësues Asllan Rexha, përmes telefonit e kishte njoftuar se nuk mund të prezantojë për shkak se gjendet në një seancë tjetër.

Vet i akuzuari Leci, deklaroi se dëshiron që të vazhdojë të përfaqësohet nga avokati Rexha.

Meqenëse, nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, ajo është shtyrë më 10 tetor 2019, nga ora 9:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2018, Eset Dragusha dhe Albert Leci, akuzohen se gjatë vitit 2017, kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore duke grabitur shuma të ndryshme të të hollave, nga 100 euro, deri tek shuma më e lartë që kap vlerën 6000 euro.

Prokuroria pretendon se këto të holla të pandehurit i përfituan kundërligjshëm dhe atë nën kërcënimin e armës nga “Maxi”, “Albi Mall”, “Meridian Expres”, “Kam”, “Vipros”, “Albi”, në barnatoren “Humana”, pastaj në pompat e derivateve “Petrol Company”, “ Veda 3 ”, “Labi OIL”, “Veda Petrol”, nga “Western Union” etj.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të pandehurit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të “grabitjes” nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, nga neni 374 i KPRK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...