I biri i Smajl Hajdarajt: Vrasja politike, njollë e zezë që po vazhdon të mbetet barrë e rëndë

Aktuale

I biri i Smajl Hajdarajt: Vrasja politike, njollë e zezë që po vazhdon të mbetet barrë e rëndë

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 18:17
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, i biri i veprimtarit të shquar Smajl Hajdaraj, foli për vjedhjen e bustit të veprimtarit nga shkolla në Pejë që mbante pikërisht emrin e tij.

Hajdaraj në Magazinë Zgjedhore tha se është ndjerë keq, mirëpo jo dhe aq i befasuar.

Ai gjithashtu shprehu indinjatën për moszbardhjen e vrasjes së babait të tij, i cili në hollin e hyrjes së banesës së tij në Pejë, ishte vrarë në një pritë.

“U bënë 17 vjet që ne vazhdimisht kërkojmë drejtësi, vazhdimisht kërkojmë përgjigje. Por, deri më sot s’kemi marrë përgjigje asnjëherë. Këto vrasje politike janë njollë e zezë që po vazhdon të mbetet barrë e rëndë e shoqërisë dhe shtetit”.

“Ka nevojë për një mobilizim të përgjithshëm nga të gjitha rrafshet dhe nivelet që të zbulohen këto raste dhe të ecim tutje. Duke i parë rrethanat dhe duke e parë që sistemi ynë i drejtësisë është shumë i brishtë, kam bindjen që nuk do të zgjidhen këto raste edhe për shumë kohë”.

Megjithatë Hajdaraj deklaroi se nuk i ka humbur të gjitha shpresat.

“Ne kemi shpresë se do të merret Gjykata Speciale me këto raste, pasi që e kemi lexuar me vëmendje raportin e Prokurorit Special Clint Williamson para formimit formal të Gjykatës Speciale. Në atë raport hyn si kategori edhe vrasja e kundërshtarëve politik – siç e quajnë ata”. “Shpresojmë që edhe këto raste do të zbardhen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat