Xhavit Rexhaj nga LDK-ja: Kurikula e bazuar në kompetenca s’është ‘as mish, as peshk’

Aktuale

Xhavit Rexhaj nga LDK-ja: Kurikula e bazuar në kompetenca s’është ‘as mish, as peshk’

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 22:13
Xhavit Rexhaj

Xhavit Rexhaj nga LDK-ja, në debatin për sektorin e arsimit, ka shpalosur disa të dhëna që tregojnë trendet në këtë sektor.

“Kemi përdorur të dhënat për një periudhë më të gjatë kohore sepse trendet nuk mund të vërehen në periudhën kohore tre-katër vjeçare. Ne i kemi marrë shifrat nga periudha kohore 2010-2019 dhe ato tregojnë rënie të numrit të nxënësve për ¼, pak më pak në arsimin e mesëm dhe të lartë”.

“Kemi 300 % shtim të numrit të studentëve në arsimin e lartë. Shifra nuk i merr parasysh studentët e Universitetit të Mitrovicës dhe disa universitete private, prandaj Kosova duhet të llogaritet që i ka rreth 120 mijë studentë që është numër tejet i madh për fuqinë e Kosovës që ta përballojë arsimin”.

“Në arsimin parauniversitar kemi të njëjtin numër të mësimdhënësve. Këto trende na tregojnë që ne e kemi një problem të mësimdhënësit”.

“Sa i përket trendit të lëvizjes së numrit të nxënësve, sipas vlerësimit të popullatës nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, pritet që të stabilizohet pas 10 vjetëve”.

“Një variabël e paqartë mbetet ikja e popullsisë që qeveria e ardhshme duhet ta stabilizojë me politikat më afirmative”.

Rexhaj në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se këto numra dhe trende nuk mund të analizohen si duhet pa e parë gjendjen e arsimit dhe veprimet e qeverive të kaluara.

“Nuk mund numrat të tregonë asgjë nëse në MASHT e ke një situatë kur askush me askënd nuk flet. Cilët do numra që i ke, kur njerëzit mes vete nuk bashkëpunojnë dhe nuk ka punë ekipore, nuk mund ta zhvillosh arsimin. Kjo është gjendja që e kemi në MASHT”.

“Nuk mund të zhvillohet arsimi i lartë në situatën kur bëhet largimi i Këshillit Drejtues të Këshillit Shtetëror të Agjencisë së Akreditimit pa asnjë fakt, vlerësim paraprak, auditim dhe vlerësim të performancës”.

“Së paku edhe dy vjet, Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk mund ta arrijë performancën që e ka pasë në fillim. Mund t’i ketë pasë fajet më të mëdha, por nuk mund të shkatërrohet sistemi për shkak të një përbërje të caktuar të Këshillit”.

“Si mund të ecë më tutje zhvillimi i arsimit nëse humben 3 milionë euro nga një projekt i Bankës Botërore? Kush e ka marrë përgjegjësinë për këtë humbje?”.

Rexhaj ka folur edhe për reformën kurikulare në arsim.

“Reforma kurikulare në arsim në Kosovë ka filluar në vitin 2009-2010 dhe LDK-ja s’ka lidhje me të sepse në këtë periudhë ne nuk e kemi pasë Ministrinë e Arsimit”.

“LDK-ja e ka bërë reformën kurikulare 2001-2008 e cila ka qenë duke ecë mjaft mirë, por është e çuditshme që me një teke dhe pa asnjë vlerësim dhe planifikim të mirë, prej kurikulave që i kemi pasë në vitin 2008 është kaluar në kurikulën me kompetenca që është kurikulë e avancuar”.

“Kemi nisë kurikulën e bazuar në kompetenca që bazohet në mësimin e integruar dhe pas implementimit tetë apo nëntë vjeçar, kjo kurikulë nuk është ‘as mish, as peshk’ – nuk është as kurikulë me përmbajtje dhe as me kompetenca”.

Ai ka thënë se arsimtarëve nuk duhet t’u vihet faj pasi, sipas tij, implementimi i kurikulës të re nuk është bërë si duhet.

“Nuk duhet t’i fajësojmë arsimtarët, por ata që nuk kanë pasë lidhje çka po implementojnë. E kanë implementuar në mënyrën më të keqe të mundshme”.

“E kanë bërë një kurikulë potencialisht miqësore për mësimdhënësit në një kurikulë armiqësore për mësimdhënësit. Mësimdhënësit tash vetëm improvizojnë në implementimin e mësimit dhe nuk e dinë ku janë”.

“Kjo çështje duhet të merret me seriozitet sepse është zemra e arsimit. Në Institutin e Pedagogjisë po bëhet një vlerësim shumë i mirë i reformës kurikulare. Duhet të merren ato rezultate dhe duhet të merren masa në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe jo me ua gjuajt kurikulën dhe me u thënë ‘hajt tash implementoje’”.

Sipas Rexhajt, Kosova duhet ta bëjë kurikulën që i përshtatet Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat