Gruaja e zyrtarit të PDK’së edhe pse e dënuar për falsifikim dokumentesh vazhdon të jetë drejtoreshë shkolle - Bota Sot
Gruaja e zyrtarit të PDK’së edhe pse e dënuar për falsifikim dokumentesh vazhdon të jetë drejtoreshë shkolle

Aktuale

Gruaja e zyrtarit të PDK’së edhe pse e dënuar për falsifikim dokumentesh vazhdon të jetë drejtoreshë shkolle

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Më 22 maj të vitit 2018, Behare Kryeziu, drejtoresha e shkollës fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e këtij qyteti, me gjashtë muaj burgim me kusht, 200 euro gjobë dhe 50 euro tjera në emër të fondit për kompensimin e viktimave. Pas këtij vendimi, më 22 dhjetor të vitit 2018, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, vendim ky që erdhi pas ankesës.

Më 10 maj të këtij viti, drejtoresha e shkollës “Mustafa Bakiu” u dënua sërish, me dënim të njëjtë, pra gjashtë muaj burgim me kusht, për shkak të falsifikimit të dokumenteve. Por kësaj here, edhe pse fajtore, gjykatësja Ajser Skenderi kishte thënë se dënimin i saj nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara nuk bën ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti.

Por kjo, i ka hapur rrugën gruas së zyrtarit të PDK’së dhe ish-këshilltarit të Kadri Veselit, Nijazi Kryeziut, pra Behare Kryeziut, që të vazhdojë ta mbajë pozitën e drejtoreshës së shkollës.

E për këtë rast, Express ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën, i cili ka sqaruar se ai vetë personalisht ishte interesuar për këtë rast dhe por masat ndaj Kryeziut nuk mund të merreshin për shkak se ligji nuk ia mundësonte.

“Kur ka ndodhur ky rast, kam kërkuar nga personeli që të ma shpjegojnë çështjen, e sipas dokumentacioneve që i kemi, ajo është dënuar me gjashtë muaj me kusht, në atë aspekt nuk kemi pasur mundësi ligjore të marrin ndonjë masë tjetër” tha Haskuka.

Ai shpjegoi se personeli i zyrës ligjore ia kishte bërë të qartë se shkarkimi i saj ishte i pamundur, për shkak se dënimi prej gjashtë muajsh nuk ia ndalon asaj ta ushtrojë detyrën.

“Sipas ligjeve në fuqi, kur është i dënuar me gjashtë muaj me kusht, mund të vazhdojë detyrën. Jam interesuar se a duhet të marrim masa ne si komunë për ta shkarkuar, por momentalisht sipas ligjeve në fuqi nuk kemi bazë ligjore për të marrë ndonjë veprim” deklaroi ai.

Por për çfarë rasti ishte dënuar drejtoresha Behare Kryeziu?

Sipas aktakuzës, ajo u dënua për shkak se kishte lëshuar vërtetime të rrejshme si drejtoreshë e shkollës, kinse Suzana Ajazaj kishte bërë zëvendësimin e një edukatoreje tjetër në shkollën “Mustafa Bakiu”. E prapaskena e këtij rasti, ishte fakti që përmes atij dokumenti, Ajazaj do të paraqitej si një person me përvojë pune në mënyrë që të konkurronte për punësim si edukatore.

Organi i akuzës, kishte ardhur në përfundim se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar nga neni 434 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Edhe bashkëshorti i Behare Kryeziut, është nën hetime. Ndaj tij është ngritur aktakuza si i përfshirë në rastin “Pronto”. 

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...