Fletëvotimet e shumta të cilat po vijnë nga diaspora kosovare për zgjedhjet e 6 tetorit, po shihen si një përcaktues i mirë se kush do të jetë fituesi potencial i këtyre zgjedhjeve në Kosovë.
Janë mbi 42 mijë fletëvotime deri tani që kanë aplikuar për të votuar me 6 tetor në këto zgjedhje, që krahasaur me vitin 2017 del si një rritje e madhe dhe entuziazëm pikërisht nga mërgata jonë në këto zgjedhje.
LEXO EDHE:
LDK do t’i ndihmojë prodhuesit vendor, thotë Abrashi
Por si e shohin njohësit e çështjeve politike në vend, këtë paralele dhe a vlerësojnë se diaspora mund ta përcaktojë fituesin në këto zgjedhje?
Sociologu Fadil Maloku e politologu Albinot Maloku kanë jep vlerësimet e tyre lidhur më këtë temë për Syri.
Profesor Fadil Maloku thotë se padyshim që diaspora për dallim nga zgjedhjet e fundit, që ishte mobilizuar për ta ndryshuar dhe permbysur keqqeverisjen e atëbotshme, sivjet ajo duket shume me e interesuar dhe më e mobilizuar për ta përmbysur të keqen.
"Keshtu qe ajo tani ka kuptuar se pa involvimin e saj ne “lojën” zgjedhore, nuk mund të ndihmohet dhe as të arrihet ajo pika kritike e ndryshimit të pritur, ose thënë më thjeshtë, diasporën në keto zgjedhje e shoh si shumë më relevante dhe më të organizuar për ta bërë ndryshimin e pritur", thekson Maloku.
E derisa mund ta bëjmë dallimin se në vitin 2017 kanë qenë vetëm 15.118 votues, në këtë vit deri tani janë 42 mijë e 300 fletëvotime.
Kjo paralele sipas sociologut Maloku dëshmon qartë interesimin dhe vullnetin për ta ushtruar ndikimin e vetë në zgjedhjet e sivjetme.
"Rritjen dhe interesimin e shtuar e shoh edhe si një lloj "hakmarrje" të butë ndaj qeveritarëve që atyre u “ndihmuan” të katapultohen sikur ishte arratisja e padëshiruar përmes rrugëve abnormale në botën e kampeve te azilit gjatë vitit 2015 që ikën mbi 160.000 të rinj kosovar!", shprehet ai.
Kurse politologu Albinot Maloku vlerëson se shprehja e vullnetit të diasporës tonë për të votuar, ndër tjera është edhe një kallëzues se ata duan të aktivizohen, siç kanë ditur ta bëjnë gjithnjë, e të bëjnë ndryshimin në vend.
"Përcaktues për ndryshimet e kërkuara nga qytetari është çdo qytetar me të drejtë vote në vend", thotë Maloku.
Por a mund të jetë kjo edhe një sinjal se duke e parë diasporën, kësaj radhe edhe qytetarët në vend mund të ekzaltohen dhe të dalin në votime në një përqindje më të madhe?
Pyetjes sociologu Fadil Maloku i përgjigjet kështu: Realisht edhe nga kontigjentët e reja supozohet që diku rreth 35.000 votues të rinj "rekrutohen” që si potencë edhe si votues të ri janë që nuk kanë as hipoteka e as ngarkesa të gjeneratave të vjetra dhe pres nga ata që ta bëjne atë ndryshimin e dëshiruar.
Por edhe ai ka pak besim që do të mund të arrihet kjo "kuotë" kritike për ta bërë këtë “katapultim” të nevojshëm që i nevojitet atmosferës dhe mobilitetit politik.
"Në Kosovë thënë me thjesht, ende nuk shoh ndryshime rrënjësore, apo të paktën aso ndryshimesh çfarë po propagandohen nga shumica e partive parlamentare kosovare. Arsyet janë të shumta, por midis këtyre arsyeve unë si kryesore shoh përfundimin e dialogut me Serbinë, si dhe margjinalizimin e manipulantëve nga krahu i luftës dhe ai i paqes", shton më tej Maloku.
Derisa politologu Maloku jep vlerësim tjetër lidhur me pyetjen e lartëcekur.
Sipas tij, thirrjen për të dalë sa ma masovikisht në zgjedhje duhet kuptuar drejt e më përgjegjësi.
"E ripërsëris, ai apo ajo që del për të votuar ka edhe të drejtën për të kritikuar por edhe për të lavdëruar, kurse në të kundërtën është çdo gjë e kotë dhe papërgjegjshmëri", nenvizon Maloku.
E derisa një përgjigje hipotetike për fituesin potencial të këtyre zgjedhjeve, sociologu Fadil Maloku e jep në këtë mënyrë:
"Realisht dhe logjikisht ndryshimi i nevojshëm po shihet dhe po përceptohet ende më shumë si dëshirë. Nderkaq, ndryshimi i domosdoshëm, pra ai i vërteti që mund të identifikohet edhe si një lloj katarsisi, është ende larg".
E pothuaj të njëjtin mendim për aktivizimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit e jep edhe ish-deputeti Ilir Deda.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se numri i madh i aplikimeve për zgjedhje nga diaspora e bën gati të pavlefshëm çfarëdo sondazhi parazgjedhor.
"42,000 aplikime për zgjedhje nga diaspora, që me siguri pranohen, e bëjnë gati të pavlefshëm çfarëdo sondazhi parazgjedhor", ka shkruar Deda në Facebook.