Limaj: Dialogu me Serbinë, problemi më i madh i qeverisë së ardhshme

Aktuale

Limaj: Dialogu me Serbinë, problemi më i madh i qeverisë së ardhshme

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:55
Fatmir Limaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha se deri më tani ka munguar vullneti politik, që të bëhet presion ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Sipas tij, Serbia ka të gjitha informacionet për personat e zhdukur, por që edhe pas 20 viteve ende nuk janë hapur arkivat e Sigurimit Shtetëror, Ushtarak e Policor, për çka tha se aty janë të gjitha të dhënat për këta persona.

Kreu i Nismës Socialdemokrate gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me qytetarë në platformën e KDI-së me temën “Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha se problemi më i madh me të cilin do të ballafaqohet qeveria e ardhshme do të jetë dialogu me Serbinë.

Limaj: Temë qendrore duhet të jetë dialogu me Serbinë (Video) “Jemi me një moment të rëndësishëm ku praktikisht Qeveria e ardhshme e Kosovës pas zgjedhjeve do të ketë temë qendrore atë të bisedimeve, dialogun... Ne besojmë që një prej detyrave më të mëdha të Qeverisë së Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve do të jetë rikthimi i dialogut. Gjithashtu, unë mendoj se çështja e dialogut është jashtëzakonisht e  rëndësishme, jo vetëm për të përmbyllur një çështje të hapur mes Kosovës e Serbisë, por për më tepër dialogu do të hap një perspektivë të qartë të Republikës së Kosovës dhe në veçanti regjioneve në tërësi edhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Limaj.

Sipas Limajt, është në interes që të përmbyllet kapitulli me Serbinë. Ai tha se marrëveshja finale do të sjell zhvillimin ekonomik të vendit, derisa ka shtuar se aktualisht nuk ka në Kosovë investime direkte, duke u njohur si vend i pasigurtë.

Ai ka theksuar parakushtet për një marrëveshje finale me Serbinë.

Limaj: Ekipe profesionale me transparencë në proces

“Parakusht që Kosova të nxjerr një marrëveshje në interes të vendit është pikërisht kjo. Identifikimi i dialogut se çështje me interes nacional, investimi në të gjitha nivelit për një konsensus sa më të gjerë, ekipet profesionale që seriozisht do t’i qasen kësaj çështje, transparenca në proces, profesionalizmi në proces, koordinimi i ngushtë edhe me opozitën, cili do që të jetë nesër në Parlamentin e Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me liderët e opozitës, ofrimi i opozitës në dialog është parakusht”, tha Limaj.

Krahas kësaj, Limaj tha se asgjë nuk duhet të diskutohet pa njohjen e Kosovës, madje shtoi se nuk duhet të bëhet as vijëzimi i kufijve.

Limaj: Nuk mund të bëhet vijëzimi i kufijve pa njohjen paraprake

“Dy shtetet e pavarura duhet të bëjnë përkufizimin e kufijve, pra asgjë nuk duhet të diskutohet pa u njohur dy shtetet tona. Bile nuk mund të bëhet as vijëzimi i kufirit pa njohjen paraprake”, deklaroi Limaj.

Limaj mes tjerash ka shtuar se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyll çdo konflikt, e jo të ketë marrëveshje me ‘plagë të hapura’, e që sipas tij, kjo varet nga kryeministri i ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat