Qindra konkurse në institucionet publike, drejt anulimit - Bota Sot
Qindra konkurse në institucionet publike, drejt anulimit

Aktuale

Qindra konkurse në institucionet publike, drejt anulimit

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 16:40
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Fotografi ilustruese.

Konkurset e shpallura për vende të reja të punës në institucionet në nivelin qendror dhe lokal, nuk kanë bazë ligjore dhe si të tilla duhet të anulohen, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Ditëve të fundit, në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore, të cilat i ka verifikuar edhe Radio Evropa e Lirë, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës, ajo e Prizrenit e komuna tjera, figurojnë shumë konkurse të hapura për punësime.

Shumica e këtyre konkurseve janë shpallur duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil numër 03/l-149. Por, problemi, sipas shoqërisë civile, qëndron te fakti se ky ligj është shfuqizuar qysh nga data 11 shtator, 2019, kur ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Administratës Publike, vetëm gjatë muajit shtator, janë aprovuar 513 kërkesa për konkurse (duke përfshirë edhe datën para hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë) për nivelin qendror, për ministri, agjenci të pavarura dhe nivel komunal.

Ligji për zyrtarët publikë është miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës është shpallur më 11 mars të këtij viti, ku thuhet se “Ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”, që i bie më 11 shtator të këtij viti.

Andaj, nisur nga fakti që shumica e konkurseve, në pothuajse të gjitha institucionet publike, janë të shpallura pas datës 11 shtator, tani kërkohet anulimi i tyre.

Image
Një konkurs i hapur nga Ministria e Administratës Publike.

Në Ligjin për zyrtarët publikë thuhet se institucionet publike do të sigurojnë përfundimin e konkursit të shpallur dhe procedurave të tjera të nisura para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procedurat që janë në vazhdim e sipër, kur ky ligj hyn në fuqi, theksohet se duhet të vazhdojnë sipas ligjit të ri.

Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë nga autoritete kompetente që konkurset e bazuara në ligjin e vjetër të anulohen. Konkurset e tilla për vende të reja të punës, përveç shkeljes ligjore, janë parë nga shoqëria civile edhe si përpjekje e subjekteve të caktuara politike, qofshin ato në nivelin qendror apo lokal, për të ndikuar te votuesit në kohën kur Kosova ndodhet në proces zgjedhor.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe zbatimin e ligjeve, ngre shqetësime serioze në lidhje me konkurset e shpallura që bazohen në ligjin e vjetër. Gëzim Shala nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha konkurset e shpallura pas 11 shtatorit duhet të anulohen sepse janë joligjore.

“Që nga 12 shtatori i këtij viti është i kundërligjshëm referimi në ligjin e vjetër për konkurse të reja, pasi secili prej këtyre konkurseve duhet t’i referohet ligjit të ri. Kështu që të gjitha këto konkurse duhet të anulohen dhe duhet të procesohen në bazë të ligjit të ri. Duke marrë në përgjegjësi edhe organet të cilat i kanë shpallur këto konkurse në bazë të ligjit të vjetër”, tha Shala.

Image
Konkurs i hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurse Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në momentin kur hynë në fuqi ligji i ri, shfuqizohet ligji i vjetër.

“Nëse ligji parasheh shfuqizimin e ndonjë ligji tjetër, atëherë ligji i vjetër nuk ka kurrfarë efekti dhe asnjë fuqi ligjore”, thekson Spahija.

Ligji për zyrtarët publikë ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri.

Image
Shfuqizimi i Ligjit për shërbimin civil.

Ministria e Administratës Publike është sponzorizues i këtij ligji, por nuk është deklaruar ende. Përkundër përpjekjes së Radios Evropa e Lirë për të siguruar një përgjigje rreth kësaj situate të krijuar me konkurset e shpallura pas datës 11 shtator, zyrtarë të kësaj ministrie ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjeje të qartë, vetëm se kanë konfirmuar se Ligji për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi më 11 shtator të këtij viti.

Në anën tjetër, sipas shoqërisë civile, shihet si absurd fakti se vetë Ministria e Administratës Publike, ka shpallur disa konkurse për pozita të lira të punës më 12.09. 2019, duke u referuar në Ligjin për shërbyesit civilë, edhe pse në Gazetën Zyrtare shënohet se ky ligj është i shfuqizuar./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...