Mungojnë Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, përsëri dështon gjykimi për përleshjen fizike në mes tyre

Aktuale

Mungojnë Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, përsëri dështon gjykimi për përleshjen fizike në mes tyre

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 10:32
Seanca

Për të tretën herë me radhë ka dështuar të nis gjykimi ndaj ish-deputetëve Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, të cilët po akuzohen për përleshjen e vitit 2017

Si shkak i dështimit të kësaj seance, e paraparë për të premten, ka qenë mungesa e të akuzuarve.

Gjykatësi Hanefi Jashari deklaroi se gjykata nuk ka prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por që për seancën e radhës ftesat do tu dërgohen përmes stacioneve policore përkatëse.

Shqyrtimi fillestar për këtë rast pritet të mbahet 4 nëntor 2019, në ora 9:00.Ndryshe, seanca e 7 gushtit kishte dështuar për shkak të mungesës së gjykatësit Jashari, kurse ajo e 23 korrikut për shkak të mungesës së dy të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ka ndodhur më 29 shtator 2017, rreth orës 17:40, në Prishtinë, në lokalet e objektit të “Klan Kosova”, në studion e emisionit “Info Lokale”, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë,  në të cilin emision Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka ishin të ftuar në cilësi të Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, me temën “Mos funksionalizimi i Parlamentit dhe zgjedhjet lokale ”Prokuroria pretendon se të akuzuarit nuk i janë përmbajtur temës së emisionit për të cilën ishin të ftuar dhe gjatë debatit kanë filluar ta fyejnë njëri-tjetrin dhe për një moment janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të shkojnë në drejtim të njëri-tjetrit, ashtu që i pandehuri Frashër Krasniqi ka filluar ta sulmojë fizikisht Milaim Zekën duke e goditur me grusht në regjionin muror të anës së majtë të kokës, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Kurse sipas dispozitivit të dytë, në të njëjtën datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, i akuzuari Milaim Zeka, pasi që ishte sulmuar fizikisht nga Frashër Krasniqi, i ishte drejtuar me fjalët “me ty do të merrem pas emisionit”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikësimit se do ti shkaktojë ndonjë të keqe. /Betimipërdrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat