PDK dhe Vetëvendosje përplasen për korrupsionin

Aktuale

PDK dhe Vetëvendosje përplasen për korrupsionin

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 08:10
Ilustrim

Në emisionin Pressing të Televizionit T7 kanë qenë të ftuar mbrëmë përfaqësuesit e partive politike ku është diskutuar për programin e tyre për zhvillimin ekonomik.

Shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Bedri Hamza nga PDK dhe Erolld Belegu nga koalicioni AAK-PSD janë përballur me njëri tjetrin, ku temë kryesore ishte ekonomia, drejtësia dhe taksa ndaj Serbisë.

Ata kanë akuzuar njëri tjetrin për korrupsionin e lartë në institucionet publike në Kosovë.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe anëtari i Lëvizjes vetëvendosje, Besnik Bislimi, kanë debatuar ashpër rreth korrupsionit në Kosovë.

Hamza tha se raporti i auditimit është shumë i keq në kohën kur Vetëvendosja e ka udhëhequr Prishtinën.

“Raporti i auditimit është shumë i keq, kohën kur ka qeverisë VV-ja me Prishtinën. Kontratat mbi vepër, ekzekutimin e buxhetit. Modeli i juaj i qeverisjes, është shumë i keq” tha Hamza.

Por e shpejtë ishte përgjigja e Bislimit i cili hodhi akuza drejt partisë së Hamzës.

“Këta me thanë Blerand Stavileci i ka hije, por jo juve. 53 milionë që e keni marrë vendim, është sa krejt buxheti i Prishtinës. Me thanë Bedri Hamza, që është në parti me Xhabir Zharkun e Kacanikut…” tha ai.

Ndërsa Hamza iu përgjigj se Vetëvendosjes nuk i konvenon respektimi i ligjit, por ka qëllim vetën të hedhin gaz dhe t’i thyejnë makinat në rrogë.

“Ju VV kur s’ju konvenon Ligji, s’ka ligj hiq. I thyeni kerret, qitni gaz, jeni të dënuar… prej Albin Kurtit e deri te të tjerët. S’keni as program, as ekip… Kqyreni Prizreni, ju s’bëheni me kërkan, edhe ndërmjet vete jeni prish” deklaroi ai.

Ndërsa për Bislimin, këto argumente nuk janë të nivelit të debatit, ndërsa Hamza insistoi se Vetëvendosja nuk ka dhënë rezultat të mirë.

Bislimi iu përgjigj duke thënë se korrupsioni është rritur, ndërsa Hamza i tha se ai nuk ka të drejtë të flasë për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se do të luftohet nga partia e tij.

Kurse kandidati për deputet nga radhët e koalicionit mes AAK’së dhe PSD’së, Erolld Belegu ka thënë se tarifa ndaj produkteve serbe ka bërë që qytetarët të vetëdijesohen që të përdorin produkte vendore.

“Taksa definitivisht ka pasur zhvillim tek prodhuesit vendorë, të gjithë prodhuesit vendorë kanë rritje drastike të shitjes, punësimit dhe eksportit. Kjo na ka dhënë shkollë të gjithë neve. Ia ka qelë sytë konsumatorit për përdorimin e produkteve vendore” tha Belegu.

Ai tutje shtoi se krijimi i Fondit Zhvillimor duhet që të krijohet në mënyrë që të mbështeten bizneset e reja.

“Duhet të krijohet Fondi Zhvillimor si bazë për ndihmë të bizneseve të reja” deklaroi ai.

Tutje Belegu shtoi se pasiguria politike ka bërë që të mos vijnë investitorët e huaj.

“Pasiguria politike në vend është e vështirë për investitorë të huaj, është e vështirë që investitori i madh të vijë në Kosovë, për çfarëdo zhvillimi ekonomik nuk mundemi me i ik faktit që duhet të përmbyllet dialogu dhe njohja e ndërsjellët” tha ai.

Belegu gjithashtu shtoi se duhet të krijohet fondi i sigurimeve sociale, papunësisë, për fëmijë dhe ai për shëndetësi kombëtare

“Kemi paraparë që të bëhet fondi i sigurimeve sociale, fondi i mbrojtjes së papunësisë, papunësisë për periudha të shkurta, për fëmijë dhe kombëtar shëndetësor, secili të ketë kartelë të shëndetësisë” deklaroi ai.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike për deputet dhe Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza ka thënë se duhet të krijohet një Bankë Ekonomike e cila do të trajtonte lëndët që lidhen vetëm me ekonomi.

“Tani janë krijuar kushtet për funksionimin e organeve të rendit dhe ligjit. Besoj se duhet të bëhet Gjykata Ekonomike për trajtimin e lëndëve që lidhen me ekonomi dhe me bankat që veprojnë në Kosovë” tha Hamza.

Ai deklaroi se paga mesatare në Kosovë nuk është e keqe në krahasim me vendet e rajonit.

Nëse e marrim mesataren e pagave në regjion nuk qëndron keq Kosova” tha ai.

Hamza gjithashtu shtoi se për të zgjidhur problemet e lëndëve ekonomike, duhet të rritet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Duhet të zvogëlohet numri i lëndëve duke e rritur numrin e gjqytarëve dhe prokurorëve” tha ai duket shtuar se “mendoj që kosova është në një gjendje nuk mundet me e rrit buxhetin për këtë sektorë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat