Blerim Latifi: Taksa u bë folklor politik, po mungon vetëm t’i këndojnë lahutarët

Aktuale

Blerim Latifi: Taksa u bë folklor politik, po mungon vetëm t’i këndojnë lahutarët

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 22:17
Blerim Latifi

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Blerim Latifi, duke folur për taksën, ka thënë se fillimisht vendosja e taksës ishte një veprim i duhur karshi Serbisë, por që më vonë ka degraduar.

“E dimë situatën konkret e cila e ka prodhuar taksën – arroganca që e dëshmoi Serbia në konferencën e INTERPOL-it ku Kosova nuk arriti të anëtarësohet. Ka qenë një reagim i kombinuar – edhe racional, edhe emocional”.

“Fillimisht ka qenë përgjigje adekuate ndaj agresivitetit diplomatik të Serbisë. Një shtet i përgjigjet agresivitetit të një shteti tjetër me mjetet që i ka. Kjo është e natyrshme dhe e logjikshme. Deri në këtë pikë, jemi në rregull”.

“Por, më vonë gjendja ka degraduar. Taksa filloi të mitizohej dhe nuk ishte më instrument i shtetit të Kosovës kundër Serbisë, por u shndërruar në instrument të luftës së brendshme për pushtet. Dhe këtu taksa filloi ta humbë vlerën e saj politike në raport me politikën, qoftë me Serbinë apo në raportet tona të brendshme”.

Madje, ai në Zona Zgjedhore, ka thënë se “taksa është bërë folklor politik”.

“Po i mungon vetëm që lahutarët me e marrë një lahutë dhe t’i këndojnë në këngë”.

Latifi ka thënë se Kosova nuk duhet ta bllokojë vetveten.

“Ne i dimë qëndrimet e SHBA-së rreth taksës, që janë qëndrime racionale. Kosova nuk duhet të ja lidhë këmbët vetes. Nëse taksa suspendohet, nuk do të thotë që zhduket. Nëse suspendimi i taksës ndodh, nuk do të thotë që Kosova s’e disponon më atë mekanizëm”.

“Ne duhet të jemi fleksibil. Ne nuk duhet ta bllokojmë veten me ide naive se ‘unë kam qenë në Berlin dhe e kam ndalë ndarjen e Kosovës’. Ato janë folklor i pastër politik”.

Ai ka folur edhe për çështjen e kufijve duke thënë se shtetet e vogla s’mund të përcaktojnë kufijtë në hartën e botës.

“Kufijtë e shteteve të vogla nuk varen prej shteteve të vogla. Kufijtë në hartën e botës i vendosin fuqitë e mëdha”.

“Fati ynë është që fuqinë kryesore botërore, Amerikën, e kemi në anën tonë. Besoj se SHBA-të nuk do ta braktisin popullin dhe shtetin e Kosovës për shkak të sharlatanizmit të atij apo këtij politikani”.

“Është projekt i madh dhe perëndimor që nuk guxon të dështojë. Ne nuk guxojmë që me veprimet tona të pamenduara dhe naive ta rrezikojmë këtë projekt. Ne duhet të hyjmë në dialog me Serbinë me arsye shtetërore dhe jo partiake – duhet të hyjmë si shtet dhe jo si klane politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat