Cili kandidat për Kryeministër merr më së shumti “like” në FB

Aktuale

Cili kandidat për Kryeministër merr më së shumti “like” në FB

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 16:07
Kandidatët për kryeministër

Albin Kurti është i pari me ‘llajka’ në FB krahasuar me kundërshtarët e tij në garën për Kryeministër. Në dhjetë postimet e fundit, lideri i VV’së ka marrë gati 40 mijë pëlqime. Vjosa Osmani e LDK’së në dhjetë postimet e fundit ka marrë mbi 13 mijë pëlqime. Edhe më pak ka marrë Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

Në kohën kur zgjedhjet po afrohen, komunikimi me publikun është shumë i rëndësishëm. E mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është përdorimi i rrjeteve sociale. E politikanët e Kosovës preferojnë më së shumti rrjetin social Facebook, duke pasur parasysh se ai është edhe më i përdoruri nga qytetarët.

Çdo ditë, kandidatët për postin e kryeministrit të vendit postojnë shumë fotografi e video, madje disa prej tyre edhe paguajnë që postimet e tyre të shikohen e të shpërndahen sa më shumë.

Por cili kandidat ka marrë më së shumti pëlqime në dhjetë postimet e fundit?

Me më së shumti pëlqime, qëndron Albin Kurti, i cili është aktiv në rrjetet sociale. Ai në dhjetë postimet e fundit ka grumbulluar gjithsej 35.900 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer është videoja e cila është shpërndarë rreth aktiviteteve partiake në Porozhan. Në këtë video, ai ka marrë 5.900 pëlqime, 303 zemra, 14 simbole me të qeshura, 8 simbole që tregojnë habinë, ndërsa 3 simbole që tregojnë nervozizëm.

E dyta në listë qëndron kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo në dhjetë postimet e fundit ka arritur të grumbullojë 13.200 pëlqime. Nga dhjetë postimet e fundit, më i pëlqyeri është ai rreth vizitës së saj në komunën e Gjilanit. Në këtë postim, Osmani numëron 3.500 pëlqime, 72 zemra, 24 simbole që tregojnë habinë dhe 3 simbole me të qeshura.

I treti në listë qëndron kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në dhjetë postimet e fundit ka arritur të grumbullojë 12.160 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer prej dhjetë postimeve të fundit është fotografia me një afarist nga Kosova. Ai në këtë postim ka mbledhur 3.400 pëlqime, 17 zemra, 14 simbole me të qeshura, 1 simbol që tregon habinë dhe 1 simbol që tregon nervozizëm.

I katërti në listë, qëndron kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj. Ai në dhjetë postimet e fundit ka arritur të mbledhë 7.460 pëlqime. Nga të dhjetë postimet, më i pëlqyeri është ai i fotografive gjatë vizitës në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë. Në këtë postim, ai ka mbledhur gjithsej 2.500 pëlqime, 24 zemra, 2 simbole që tregojnë habinë dhe 1 simbol që tregon qeshje.

Ndërsa i pesti në listë qëndron kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai gjithsej në dhjetë postimet e fundit ka mbledhur rreth 2.110 pëlqime. Postimi i tij më i pëlqyer është fotografia e tij dhe ftesa që i bën qytetarëve që ta ndjekin në debat publik. Aty ai ka marrë gjithsej 444 pëlqime, 1 zemër, 1 simbol që tregon habinë dhe 1 simbol që tregon nervozizëm.

Por ato që janë më të pëlqyeshme, janë pëlqime që kandidatët do t’i marrin nga kutitë e votimit me 6 tetor të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat