Osmani: Të gjitha bordet me performancë negative do të shkarkohen

Aktuale

Osmani: Të gjitha bordet me performancë negative do të shkarkohen

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 22:36
Foto

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, paralajmëroi sot në qeverisjen e saj, të gjitha bordet e kompanive publike nën menaxhim të qeverisë dhe të cilat kanë performancë negative sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, do të shkarkohen dhe do të shpallet konkurs i hapur publik me ndihmën e projektit nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.

“Të gjitha bordet që kanë performancë negative do të shkarkohen. Ambasada britanike e ka një projekt me Qeverinë e Kosovës për t’i mbikëqyrë krejt konkurset në institucione. Ne e kemi ndërmend të rritim prezencën e Ambasadës britanike, sepse ata nuk kanë interes t’i japin përparësi dikujt në baza partiake”, ka thënë Osmani gjatë një takimi me të rinj në Prishtinë.

Ajo potencoi se libreza partiake nuk do të jenë më kriter i punësimit, por vetëm meritokracia.

“Nëse na nuk e krijojmë meritokracinë si bazë, atëherë do të dështojmë. Politikanët vijnë e shkojnë, ndërsa shtylla më e rëndësishme mbesin shërbyesit civil”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu tha se qeveria e drejtuar prej saj, do të garantojë pavarësi të sistemit të drejtësisë, ndërsa nëpërmes procesit të vettingut, do të bëhet dekriminalizimi i saj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e të rinjve se si do të fuqizohet sistemi i drejtësisë në vend, Osmani ka thënë se e vetmja rrugë është vettingu dhe mos përzierja totale e qeverisë.

“Vettingu nënkupton që të bëhet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar për secilin gjykatës dhe prokuror, jo sikur në vitin 2008 kur është bërë vetëm një testim”, tha Osmani. 

Ajo ka shtuar se ‘jemi dëshmitarë që dora e krimit ka vendosë për njerëzit në sistemin e drejtësisë, prandaj kjo dukuri nuk do të tolerohet në të ardhmen’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat