Gruaja e dëshmorit që po e sheh tmerrin me sy: Tani jam një “kriminele” që bëj luftë për një strehë për fëmijët

Aktuale

Gruaja e dëshmorit që po e sheh tmerrin me sy: Tani jam një “kriminele” që bëj luftë për një strehë për fëmijët

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 10:46
Minire Saliuku

Gruaja e dëshmorit Mehmet Saliuku, Minire Saliuku, është intervistuar nga Policia e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, pas një padie të Komunës së Drenasit, e cila e ka cilësuar atë “uzurpatore të një banese”, që Komuna e Drenasit në mandatin e Nexhat Demakut ia kishte dhënë asaj në shfrytëzim. 

Por gjëja më e rëndë që e kishte goditur edhe më fort Miniren, siç thotë ajo vetë, ishte ftesa që kishte marrë nga Policia e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda.

“Më thirrën e me thanë eja në Stacionin nr. 2 në Prishtinë. E lexova, shkruante ‘Policia për Krime të Rënda’. I mora krejt dokumentet me vete. Erdhën ata hetuesit civilë dhe më treguan për çka jam e ftuar. Janë paraqitur mirë me mua, më thanë se i dinë problemet e mia, por banesa thanë se nuk është imja. Ju thashë se duhet të jetë imja, aty jetoj qe 5 vjet, vetë Komuna më ka vendosur, ua tregova edhe emrin e zyrtarit që m’i ka dhënë çelësat. Çfarë krimi paskam bërë unë që më keni thirrur këtu, i pyeta e ata nuk u përgjigjen.

A krim është të luftoj për strehimin e fëmijëve të mi kur në krejt Kosovën familjeve të dëshmorëve u ka bërë zgjidhje. Nuk ka familje dëshmori në Kosovë që ia mohojnë të drejtën për strehim, përveç meje. Është obligim i shtetit që asnjë familje dëshmori të mos e lënë në rrugë, shteti ka obligim të përkujdeset edhe për shkollimin e fëmijëve. Çka bëri shteti për mua, për fëmijët e mi, asgjë hiç. E tash kjo komunë më bën edhe kriminele. Ndoshta për mua do të vendosë Gjykata për Krime të Rënda, sepse kjo që kam bërë unë qenka krim. A mund ta kuptojnë këta se ashtu siç është banesa e Komunës, edhe unë dhe fëmijët e mi jemi të kësaj komune. A e dini ju se kush ka marrë aty banesa prej komune, jo nuk e dini, shkoni e këqyrni”, tregon Minirja për intervistimin e saj në Policinë e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda.

Ajo ka shtuar se ka trokitur në shumë dyer, madje edhe në zyrat e PDK-së në Prishtinë, se ka kërkuar të takohet me Kadri Veselin dhe t’ia shpjegojë hallin, por nuk e kanë lejuar, se për problemet me të cilat përballet ka biseduar edhe me shumë deputetë dhe me zyrtarë të lartë të PDK-së e edhe me kryetarin e PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, por zgjidhje nuk i është bërë.

“Po më vjen shumë rëndë që ky Ramiz Lladrovci po i mashtron të gjithë, kinse më ka bërë zgjidhje, por unë gjoja nuk paskam pranuar dhe këta po i besojnë, po i besojnë një njeriu që një familje dëshmori është duke e keqtrajtuar mizorisht. Ai po i bën zgjidhje një gruaje serbe e mua jo, atë e kanë lutur se ku do ta dërgojnë. Kështu janë këta të komunës sonë”, shprehet ajo.

Të dielën ndërkaq Komuna e Drenasit ka shënuar 21-vjetorin e rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe ka shënuar 21-vjetorin e rënies së bashkëluftëtarëve të Fehmisë e Xhevës. Minire Saliuku i ka thënë “Zërit”, të dielën, se ishte vetëm ajo në mesin e familjeve të dëshmorëve që përballet me problemin e strehimit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat