AAK-PSD: Fondi Zhvillimor do të ndihmojë bizneset dhe do të krijojë vende të reja të punës

Aktuale

AAK-PSD: Fondi Zhvillimor do të ndihmojë bizneset dhe do të krijojë vende të reja të punës

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 15:13
Visar Ymeri dhe Muhamet Spahiu

Koalicioni AAK-PSD kanë paraqitur sot programin e tyre për zhvillimin ekonomik, ku kanë thënë se masa e parë që do të ndërmarrin do të jetë krijimi i fondit zhvillimor, që sipas tyre, përmes këtij fondi do të ndihmohen bizneset për t’u zhvilluar e për të krijuar vende të reja të punës.

Në një konferencë për media, u tha se Fondi Zhvillimor do t’iu jap përparësi kompanive të cilat dëshmojnë se mund të krijojnë vende pune me përkrahjen financiare të marrë nga fondi.

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Visar Ymeri, tha se Fondin Zhvillimor do ta themelojnë me të marrë udhëheqjen e qeverisë, për të cilin tha se do të jetë entitet i pavarur, i themeluar dhe i mbikëqyrur nga Kuvendi i Kosovës.

Fondi Zhvillimor, sipas Ymerit, do të financohet nga paratë e buxhetit, paratë e mbetura nga fondi i privatizimit dhe një pjesë nga Trusti Pensional.

Ymeri: Ky fond do t’i ketë katër sektorë ku do të jetë i përqendruar veçanërisht

“Ky fond do t’i ketë katër sektorë ku do të jetë i përqendruar veçanërisht, e para siç e përmenda do të jetë komponenta e punësimit, Fondi Zhvillimor do t’iu jep përparësi kompanive të cilat dëshmojnë se mund të krijojnë vende pune me përkrahjen financiare të cilin e kërkojnë nga Fondi Zhvillimor. Kjo është shumë e rëndësishme, pra Fondi Zhvillimor në një farë mënyre do ta ndihmojë rritjen e punësimit tek qytetarët e Republikës së Kosovës, nëpër ato kompani ekzistuese ose edhe për ato kompani të cilat do të hapen në Kosovë. E dyta, do të jetë investimet në asetet dhe sektorët strategjik të Kosovës, pra përmes Fondit Zhvillimor ne do të investojmë në Trepçë, në minierat, do të investojmë në energji, do të investojmë në Telekom....E treta, do të jetë investimi dhe kreditimi i kompanive që krijojnë vlerë të shtuar të ekonomisë në vende cilësore e të qëndrueshme të punës, e këtu veçanërisht do të jetë i përqendruar tek ato kompani të cilat janë ose kanë në biznes të tyre qëllim e kanë eksportin...E katërta, që është po aq e rëndësishme për shkak të rrethanave në Kosovë është investimi në rritjen dhe hapjen e kompanive të cilat janë të përfshira drejtpërsëdrejti në sektorin e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit”, tha Ymeri.

Kurse, Muhamet Spahiu nga AAK, ka paraqitur disa nga prioritet e tjera që i kanë sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit.

Ai tha se do t’i ulin taksat bizneseve prodhuese në të ardhurat personale për çdo të punësuar të ri, dhe tha se taksa do të ulet në 4 për qind.

Spahiu tha se do të lirohen nga çdo tatim produktet e eksportuara.

Bizneseve prodhuese, sipas Spahiut, do t’iu subvencionohen 50 për qind e pagave për të gjithë të punësuarit. 

Ai ka premtuar edhe eliminimin e të gjitha kontrolleve fizike të cilat u bëhen bizneseve nga ATK.

Spahiu: Buxheti do të rritet me trend deri në 3 miliardë euro

“Përmes këtyre do të ulet ekonomia informale, së paku kemi synim që ta ulim në 4 për qind në vit. Buxheti do të rritet me trend deri në 3 miliardë euro. E di që duket pak vlerë e lartë, por megjithatë mundemi me e pa rastin e këtyre dy viteve të fundit ku vetëm me deklarimin ndaj bizneseve që bizneset duhet të jenë të lira, bizneset duhet të ndihmohen, qeveria Haradinaj gjatë dy viteve buxheti është rritur për 640 milionë euro”, tha ai.

I pyetur se si parashikojnë që duke ulur taksat për bizneset të rritet buxheti në 3 miliardë euro, kandidati për deputet Visar Ymeri tha se rritja e bruto produktit vendor e rrit edhe buxhetin me të njëjtat përqindje.

Ymeri: Rritja e bruto produktit vendor e rrit edhe buxhetin me të njëjtat përqindje

“Buxheti mblidhet nga tatimet të cilat i aplikohen një shume të caktuar financiare, e cila herë është e shprehur në mall e herë në valutë dhe sa më e madhe kjo me të njëjtën përqindje merr më shumë. Pra, nëse bazën ekonomike e ki ta zëmë, sot e kemi 6 miliardë të bruto produktit vendor dhe rritja e bruto produktit vendor e rrit edhe buxhetin me të njëjtat përqindje. Ne folëm për mënyrën se si ne do t’i japim një stimulim të hovshëm të zhvillimit ekonomik Republikës së Kosovës, me hapjen e kompanive të reja dhe me fuqizimin e atyre ekzistuese përmes Fondit Zhvillimor, e kjo automatikisht rezulton me rritje të buxhetit”, tha Ymeri.

Në këtë konferencë u bë e ditur se kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj nuk ka marrë pjesë në debatin me të rinjtë që është mbajtur sot, për shkak se gjendet në udhëtim zyrtar në ShBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat