Cakaj nga Amerika: Do të punojmë në shërbim të njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimit në BE të Shqipërisë

Aktuale

Cakaj nga Amerika: Do të punojmë në shërbim të njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimit në BE të Shqipërisë

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 23:02
Edi Rama, Gent Cakaj

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj po qëndron në SHBA bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Cakaj ka marrë pjesë sot në hapjen e punimeve të Sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar.

Përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook, ministri shqiptar ka folur për rëndësinë e këtij sesioni, por edhe takimeve që kanë pasur. Derisa ka shtuar në New York do të punojnë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës dhe për zhvillimin e shumë takimeve në shërbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në tetor..

Ky është postimi i plotë i Cakajt:

Çështja qëndrore e punimeve të këtij sesioni do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030. Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të përbashkët kundër varfërisë së skajshme dhe ekstremizmit të dhunshëm, përpjekjeve për arsim më cilësor e zhvillim ekonomik dhe bashkërendimit të qëndrimeve për përballjen me ndryshimet klimatike.

Marrë parasysh ambicjen e Shqipërisë për të siguruar vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve të delegacionit shqiptar do të drejtohet pikërisht kah sigurimit të mbështetjeve politike të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse për kandidaturën tonë !

Si bartëse e shumë nismave rajonale, anëtare e NATO-s dhe kryesuese e ardhshme e
OSBE-së, Shqipëria jo vetëm ka dëshmuar besueshmërinë e lartë në rrafshin shumëpalësh në përgjithësi por ofron edhe një program pothuajse të pazëvendësueshëm për vëndin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në veçanti.

Gjatë takimeve të shumta në New York do të punojmë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës !

Gjatë këtyre ditëve do të shfrytëzojmë rastin për zhvillimin e shumë takimeve në shërbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në tetor… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat