Koalicioni AAK-PSD premton zvogëlim të ministrive, jo edhe numrin e punëtorëve

Aktuale

Koalicioni AAK-PSD premton zvogëlim të ministrive, jo edhe numrin e punëtorëve

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 12:56
Besnik Tahiri dhe Shqipe Pantina

(E plotësuar) - Me ardhjen në pushtet të koalicionit AAK-PSD, do të bëhet reforma e administratës publike në Kosovë për një qeverisje më të mirë.

Ky koalicion propozon që qeveria e ardhshme Haradinaj, t’i ketë 15 ministri dhe zvogëlim të agjencive të pavarura, ndonëse jo edhe zvogëlim të punëtorëve.

Kështu është thënë në një konferencë për media të përbashkët nga ky koalicion parazgjedhor.

Besnik Tahiri nga AAK, theksoi se madhësia e qeverisë ka degraduar ndër vite, nga të gjitha qeveritë, që nga viti 2000. Por, Tahiri kujtoi edhe numrin e ministrive të ish-qeverisë Mustafa.

Tahiri: Qeveria Mustafa ka pasur 20 ministri, ndërsa ne një më shumë

“Këtu kam një tabelë ku tregon si ka qenë madhësia e qeverisë ndër vite. Qeveria Mustafa ka pasur 20 ministri, 19 me portofolio, 1 pa portofolio e dialogut dhe ka pasur 57 zëvendësministra, që ka qenë qeveri me dy parti. Ndërsa, ne kemi pasur një ministri më shumë, më shumë zëvendëskryeministra dhe shumë më shumë zëvendësministra. Pra, kjo është situata, se si ka qenë prej vitit 2000. Kjo tabelë tregon se si ka degraduar ndër vite madhësia e qeverisë. Madhësia e qeverisë nuk ka qenë dhe nuk është produkt i yni. Ka qenë një kulturë e të gjitha partive politike në të gjitha qeveritë në ndër vite, të cilën ne e kemi ndal me këtë ligj”, deklaroi Tahiri. 

Ai theksoi se ka rekomanduar 15 ministri në qeverinë e ardhshme, dhe ideja sipas tij, është që asnjë zëvendëskryeministër të mos jetë pa qenë edhe ministër dhe as një ministri më shumë se dy zëvendës ministra.

Tahiri: Kam rekomanduar qeveri me 15 ministri

“Ligji për Qeverinë është i përfunduar, ky ligj ka kaluar të gjitha procedurat dhe unë kam propozuar dy versione, versionin me 12 ministri, që është një reformë rapide, të cilën unë nuk e mbështes në parim për shkak se e çrregullon atë që e kemi ndërtuar qe 20 vjet. Ndërsa, versionin të cilin unë kam rekomanduar Qeverisë dhe kryeministrit, është versioni me 15 ministri. Ideja është që asnjë zëvendëskryeministër të mos ketë pozitë pa qenë ministër”, theksoi ai.

Tahiri përmendi edhe ministritë të cilat do të shkrihen në ministritë e linjës. Sipas tij, Ministria e Inovacionit, do të shkrihet në Ministri të Arsimit, ndërsa, ministria e Integrimeve në atë të Administratës Publike.

Ndërsa, Shqipe Pantina nga PSD-ja deklaroi se në qeverinë e ardhshme synohet të fillohet me procesin e digjitalizimit të rekrutimit, për departizim dhe krijim të një administrate profesionale.

E gjithë kjo reformë, sipas saj, do të rritë edhe cilësinë sidomos në arsim dhe shëndetësi. Pantina tha se pjesë e administratës shtetërore, do të jetë edhe zvogëlimi i agjencive të pavarura.

Pantina: Do të zvogëlohet edhe numri i agjencive të pavarura

“Pjesë e administratës shtetërore do të jetë edhe zvogëlimi i numrit të agjencive të pavarura dhe institucioneve. Aktualisht janë mbi 50 institucione të ndryshme, me emra të ndryshëm, duke filluar nga këshilla, komisione, agjenci, institute, e kështu me radhë, të cilat cilësohen si të pavarura dhe i raportojnë drejtpërdrejt Kuvendit. Shumë shpesh, këto institucione kanë kompetenca të ngjashme, e nga një herë edhe të njëjta me ministritë përkatëse. Në qeverinë e ardhshme kjo do të ndryshojë dhe këto institucione do të reformohen rrënjësisht”, deklaroi Pantina.

Ajo ka siguruar se nga reforma, asnjë punëtor që është me vendim, nuk e humb vendin e punës, por tashmë sipas saj, është ndaluar kontrata mbi vepër, e cila shpeshherë e ka ngarkuar administratën.

***

Me ardhjen në pushtet të koalicionit AAK-PSD, do të bëhet reforma e administratës publike në Kosovë për një qeverisje më të mirë.

Ky koalicion propozon që qeveria e ardhshme Haradinaj, t’i ketë 15 ministri.

Besnik Tahiri nga AAK, theksoi se madhësia e qeverisë ka degraduar ndër vite, nga të gjitha qeveritë. Ai ka treguar se janë miratuar tri ligjet bazike për të pasur një qeveri efikase. Sipas tij, Ligji për qeverinë është i përfunduar dhe janë propozuar dy versione, me 12 dhe 15 ministri.

“Unë kam rekomanduar versionin me 15 ministri. Ideja është që asnjë zëvendëskryeministër të mos jetë pa qenë edhe ministër. Pra, nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa ministri. Me qeverisjen Haradinaj, nuk do të ketë më shumë se dy zëvendës ministra në një ministri”, tha Tahiri.

Ai përmendi edhe ministritë të cilat do të shkrihen në ministritë e linjës.

Ndërsa, Shqipe Pantina nga PSD-ja deklaroi se në qeverinë e ardhshme synohet të fillohet me procesin e digjitalizimit të rekrutimit, për departizim dhe krijim të një administrate profesionale.

“E gjithë kjo reformë do të rritë edhe cilësinë sidomos në arsim dhe shëndetësi. Pjesë e zvogëlimit të qeverisë, do të jenë edhe agjencitë e pavarura”, tha ajo duke shtuar se asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna me këtë reformë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat