Veseli: Më 6 tetor qytetarët do t’i thonë ‘po’ PDK-së dhe luftës kundër korrupsionit e nepotizmit

Aktuale

Veseli: Më 6 tetor qytetarët do t’i thonë ‘po’ PDK-së dhe luftës kundër korrupsionit e nepotizmit

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 17:32
PDK

(E plotësuar) - Në qytetin e Mitrovicës sonte Partia Demokratike e Kosovës e ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Nga ky vend që është edhe vendlindja e tij, kandidati i PDK-së për kryeministër, njëherësh kryetar i kësaj partie, Kadri Veseli, tha se e ka zgjedhur Mitrovicën për ta nisur me këmbë të mbarë rrugëtimin e ri të Kosovës dhe për ta filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

E arsye tjetër se kjo parti e ka nisur fushatën në Mitrovicë, sipas pretendentit për kryeministër është të përcjellë mesazhin se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë.

Ai tha se Kosova dhe Mitrovica janë mirë, kur Kosova zhvillohet e ndërtohet më shumë dhe kur qytetarët janë më të kënaqur me jetën e tyre dhe me shtetin e tyre.

Veseli para bashkëqytetarëve të tij, u shpreh se më 6 tetor qytetarët e Kosovës do të përkrahin PDK dhe luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Veseli: Qytetarët t’i thonë ‘po’ luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit

“Kësaj dite historike për Kosovën, kur qytetarët do t’i thonë ‘po’ vizionit tonë për ekonominë e dijes dhe inovacionit, do t’i thonë ‘po’ luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe kur do t’i thuhet ‘po’ partneritetit të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Po, më 6 tetor do ta festojmë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, fitoren e Kosovës, fitoren e të rinjve tanë të mrekullueshëm, vajzave dhe djemve që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në shtetin që meritojnë. Fitoren e grave dhe burrave, nënave dhe baballarëve, nxënësve dhe studentëve, punëtorëve dhe intelektualëve, minatorëve, fermerëve, ndërmarrësve, inovatorëve dhe punëtorëve të palodhshëm e të ndershëm, sepse, ju e dini, kur fiton Partia Demokratike e Kosovës, fitojnë të gjithë, fiton Kosova, e për të fituar Kosova, duhet të bëhemi bashkë”, tha Veseli.

I pari i PDK-së tha se nuk do të ketë ndarje, por bashkim me vizionin e PDK-së për ta ndërtuar të ardhmen.

Veseli: Ta ndërtojmë një Kosove pa korrupsion e nepotizëm

“Të ardhmen e një Kosove pa korrupsion e nepotizëm, me shanse të barabarta për të gjithë, me ekonomi të fuqishme, me vende pune të qëndrueshme dhe me rininë tonë që jeton këtu. Të ardhmen e një Kosove që mbron territorin dhe sovranitetin dhe që fuqizon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Të gjithë ne duhet të bëhemi bashkë si dikur, si atëherë kur rrezikoheshim, dhe të vendosim me tërë fuqinë për ta bërë Kosovën shtet të cilin e kemi ëndërruar. E kush mund ta bëj këtë më mirë sesa trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Kandidati për kryeministër u shpreh se sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isa Boletinit dhe bijtë e Drenicës dhe stërnipat e Azem Galicës, Mitrovica do të jetë përjetë një.

Veseli: Nuk ka çmim për liri - nuk ka çmim për Mitrovicën

“A nuk e çliruam Kosovën me një luftë të guximshme, a nuk ishte populli ynë, luftëtarët e UÇK-së ata që paguan me gjakun e tyre që Kosova të jetë e çliruar dhe që Mitrovica të jetë e bashkuar. Të jeni të sigurt se sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isa Boletinit dhe bijtë e Drenicës dhe stërnipat e Azem Galicës Mitrovica do të jetë përjetë një. Nuk ka çmim për liri, nuk ka çmim për Mitrovicën”, u shpreh ai.

Kreu i PDK-së tha se ata janë fuqia për ta luftuar korrupsionin, e që SHBA sipas tij do të vijnë për t’iu ndihmuar. Ai tha se Kosova duhet të ndryshojë prioritetet e qeverisë, ta përmirësojnë sistemin e arsimit, të mbështesin sipërmarrësit e ri, ta ndalin nepotizmin dhe t’i punësojnë më të mirët.

Ai tha se PDK-ja është e vetmja parti që mund ta bëjë këtë, ku Veseli tha se ai e ka guximin, do t’iu jep mundësi të rinjve që, siç tha ai, ka bërë në parti duke u dhënë mundësi ministrave të ri.

Kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë Bedri Hamza, tha se nuk ka projekt politik në dekadat e fundit, as ushtarak, as ekonomik, duke filluar nga autostradat, aeroportet, shkollat, rritja e pagave, rritja e pensioneve që nuk e ka vulën e PDK-së dhe lidershipit të saj.

Hamza tha se PDK është parti me vizion dhe synim të përhershëm zhvillimin dhe prosperitetin e individit, familjes, shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, e që sipas tij ky është projekti i “Dekadës së Re”.

Hamza: Nuk jemi të pagabueshëm, por jemi të përkushtuar për të vazhduar punën tonë

“PDK diti dhe guxoi që në momentet kyçe të jetë bartëse e proceseve të rëndësishme për vendin. Ne nuk jemi të pagabueshëm, ne nuk jemi perfekt, por e themi duke shikuar secilin në sy, që jemi të përkushtuar, të vendosur, të guximshëm dhe të përgatitur për të vazhduar punën tonë drejt së ardhmes. Mitrovica dhe mitrovicasit janë krenarë që Kadri Veseli është i lindur dhe i rritur në Mitrovicë, në një familje punëtore, bujare, kombëtare, një njëri familjar, intelektual, i guximshëm, vendimmarrës, vizionar dhe sigurisht kjo pjesëmarrje e juaj, ky masivitet që as salla nuk na zë, garanton fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Hamza.

Ai u shpreh se kandidati i PDK-së Kadri Veseli e ka programin më të mirë dhe e ka ekipin që garanton zbatimin e atij programi.

Veseli nis fushatën aty ku nisi rrugëtimin jetësor: Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka hapur fushatën e PDK-së për këto zgjedhje të parakohshme në Mitrovicë.

Para mijëra simpatizantëve, Veseli ka thënë se është në qytetin e tij të dashur, në vatrën e atdhetarisë, në djepin e Isa Boletinit, në vendin që e frymëzoi dhe ku nisi rrugëtimin jetësor, për të filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Unë jam sot këtu, në Mitrovicë, si biri juaj, për ta nisur me këmbë të mbarë këtë rrugëtim të ri të Kosovës dhe për ta filluar suksesshëm fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Kam zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellë qartë dhe fuqishëm mesazhin e Kosovës dhe të Partisë Demokratike: se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë. E Kosova dhe Mitrovica janë mirë, kur ky vend i bekuar nga Zoti, zhvillohet e ndërtohet më shumë dhe kur qytetarët tanë janë më të kënaqur me jetën e tyre dhe me shtetin e tyre”, ka thënë lideri i PDK-së.

Ai ka thënë se është në Mitrovicë për ta bërë hapin e parë drejt 6 tetorit.

“Kësaj dite historike për Kosovën, kur qytetarët do t’i thonë PO vizionit tonë për ekonominë e dijes dhe inovacionit, do t’i thonë PO luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe kur do t’i thuhet PO partneritetit të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. PO, më 6 tetor do ta festojmë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Fitoren e Kosovës. Fitoren e të rinjve tanë të mrekullueshëm. Vajzave dhe djemve që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në shtetin që meritojnë. Fitoren e grave dhe burrave, nënave dhe baballarëve, nxënësve dhe studentëve, profesorëve dhe intelektualëve, minatorëve, fermerëve, ndërmarrësve, inovatorëve dhe punëtorëve të palodhshëm e të ndershëm. Sepse, ju e dini, kur fiton Partia Demokratike e Kosovës, fitojnë të gjithë. Fiton Kosova! E për të fituar Kosova, duhet të bëhemi bashkë”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë nuk duhet të ketë ndarje, por bashkim me vizionin e PDK-së për ta ndërtuar të ardhmen.

Të ardhmen e një Kosove pa korrupsion e nepotizëm, ka thënë ai, me shanse të barabarta për të gjithë, me ekonomi të fuqishme, me vende pune të qëndrueshme dhe me rininë tonë që jeton këtu.

“Të ardhmen e një Kosove që mbron territorin dhe sovranitetin dhe që fuqizon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Të gjithë ne duhet të bëhemi bashkë si dikur, si atëherë kur rrezikoheshim, dhe të vendosim me tërë fuqinë për ta bërë Kosovën shtet të cilin e kemi ëndërruar”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se këtë nuk mund ta bëj askush më mirë sesa trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës

PDK hap fushatën në Mitrovicë (Drejtpërdrejt)

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, merr pjesë në hapjen e fushatës zgjedhore në Mitrovicë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat