Zeka akuzon klasën aktuale politike se e ka kthyer Kosovën në vend të prostitucionit

Aktuale

Zeka akuzon klasën aktuale politike se e ka kthyer Kosovën në vend të prostitucionit

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 17:50
Milaim Zeka

Partia Euroatlantike e Kosovës ka hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, ku kryetari i kësaj partie Milaim Zeka, ka akuzuar klasën politike aktuale se e kanë kthyer Kosovën në vend të prostitucionit.

Zeka tha se kjo klasë politike për 20 vjet ka shitur gjithë pasurinë e vendit, duke thënë se kjo klasë politike e ka sjellë qytetarin para dilemës se a ta vrasë vetën apo të ikë nga Kosova.

Ai po ashtu tha se kjo klasë politike ka bërë që një numër i ushtarëve të UÇK-së të vrasin vetën pas luftës.

Pretendenti për kryeministër tha se kjo klasë politike e ka poshtëruar edhe veprimtarin Adem Demaçin e shumë të tjerë, duke sjellë ministra e deputetë e zëvendëseministra, të cilët kanë qenë dikur pjesa kryesore e shërbimit sekret serb.

Ai tha se kjo klasë politike ka sjellë në pushtet e i kanë shpallë veteranë të UÇK-së njerëzit të përfshirë në atentatin ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës.

Zeka: Politikanët i kanë kthyer koalicionet në vend të prostitutave

“Këta njerëz të tipit të Kadri Veselit, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi e Ramush Haradinaj që e dinë me emër e më mbiemër kush kanë qenë ata që na kanë spiunuar edhe para luftës edhe pas luftës, janë bërë bashkë me këtë kor të fëlliqur për ta fëlliqur Kosovën, për ta gjunjëzuar Kosovën, për ta zbrazur Kosovën. Është kjo klasë politike e hajdute që ka futur në listën e votuesve 1 milion e 913 mijë vetë në kohën kur vetëm 1 milion e 400 mijë qytetarë janë të Kosovës, kush do të votojë për neve...Këta nuk kanë turp, këtyre nuk iu vjen marre të hyjnë deputet në Parlamentin e Kosovës me vota të vjedhura. Janë këta politikanë që për një vit kanë shpenzuar 12 milionë euro darka, dreka, bileta, benzinë, hotele luksoze dhe prostituta, sepse këta e kanë kthyer Kosovën në vend të prostitucionit, këta i kanë kthyer koalicionet në vend të prostitutave”, tha Zeka.

Zeka ka thënë se po vjedhjen votat e diasporës, që sipas tij i kanë vjedhur të dhënat që diaspora i kanë lënë për nxjerrjen e dokumenteve në ambasada.

Zeka: Thaçi e ka emëruar Lumezin për të punuar për vete

“Presidenti Thaçi nuk e ka emëruar Aleksandër Lumezin kryeprokuror për të punuar kundër mafisë, për të punuar për të mirën e shtetit, por për të punuar vetëm për të dhe për këtë klasë politike që e ka katandisur vendin në këtë gjendje...Kadri Veseli do ta luftojë krimin e organizuar në Kosovë, kjo është sikur me thënë Vuçiqi unë do të dal nëpër botë dhe do të loboj për pavarësinë e Kosovës, për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Kryetari i Partisë Republikanët e Kosovës Faton Kurti, përmendi disa nga pikat kyçe të programit të tyre, ku ai tha se në krye të programit është luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, edukimi cilësor dhe një ushtri e fortë.

Ai ka përmendur disa nga 20 pikat që e programit të tyre zgjedhor, ku ai tha se synojnë reformimin dhe ridimensionimin e institucioneve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës, zvogëlimin e numrit të ministrive në vetëm 11 sosh.

Kurti: Krijimi i një task forcës për hetimin e korrupsionit në nivelin qeveritar dhe institucional

“Rishikimi i Kushtetutës mbi çështjen e ribashkimit, kjo është nga ana e Republikanëve, ribashkimit kombëtar në harmonizimin me partnerët tanë amerikan në interes të stabilitetit në rajon. Ne nuk e quajmë bashkim, ne e quajmë ribashkim, sepse të drejtën e patën gjermanët të ribashkohen. Çështje madhore politike të zgjidhen me anë të referendumit mbarë popullor. Mbrojtja e interesit kombëtar në të gjitha trojet shqiptare dhe më tej. Hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të UDB-së. Krijimi i një task-forcës për hetimin e korrupsionit në nivelin qeveritar dhe institucional, si dhe krijimin e një task-forcës për ruajtjen e ambientit dhe luftimin e krimit ekologjik. Heqja e vendeve të rezervuara në Kuvend për pakicat e Kosovës dhe ata t’i nënshtrohen garës zgjedhore si çdo shtetas tjetër i Kosovës. Propozimi i gjashtë vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për diasporën. Ndërtimi i muzeut për holokaustin shqipta r për të dokumentuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve ndër shekuj”, tha ai.

Ai ka treguar edhe si e shohin zgjedhjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti: Marrëveshja me Serbinë - vetëm me njohje të sovranitetit të Kosovës

“Kjo është prapë një pikë që e propozojmë ne Republikanët, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë vetëm më përmbushjen e pikave sipas konceptit republikan dhe këto janë njohjen e menjëhershme të sovranitetit të Kosovës, falje publike për gjenocidin e bërë nga ana e Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës, kthimin e eshtrave të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, dëmshpërblimin e plotë të dëmit të bërë gjatë luftës, integrimin e menjëhershëm të Mitrovicës së Veriut në qeverisjen e plotë të Republikës së Kosovës, ndjekjen penale të ushtarëve, policëve, paraushtarakëve dhe civilëve të armatosur serbë, të cilët kanë bërë krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës. Kërkojmë të njëjtat të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve të tjera në Serbi sikurse i kanë serbët që jetojnë në Kosovë”, tha ai. 

Ndryshe, Partia Euroatlantike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit garon me numrin 129.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat