Mjek në luftë e paqe, Arbër Tolaj gati të bëjë betimin e tretë si deputet

Aktuale

Mjek në luftë e paqe, Arbër Tolaj gati të bëjë betimin e tretë si deputet

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 19:18
Arbër Tolaj

Specialisti i kirurgjisë ortopedike dhe njëherit drejtori i Klinikës së Ortopedisë në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Arbër Tolaj, është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të koalicionit AAK-PSD.

Ai ka mbaruar për Menaxhim Shëndetësor dhe magjistraturën profesionale ortopedike. Në periudhën e luftës ka shërbyer si mjek në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pastaj edhe në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në intervistën “Kandidatët” të KosovaPress, Tolaj thotë se është i gatshëm që të bëjë edhe betimin e tretë, atë të deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe të jetë zë i fuqishëm për shëndetësi të mirëfilltë, të dinjitetshme, mirëqenie, arsim cilësor e zhvillim ekonomik.

Tolaj: Do të jem zë i fuqishëm i kërkesave të qytetarëve

“Meqenëse vizioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të cilën e udhëheq Ramush Haradinaj është për 100% shtet duke përfshirë edhe të gjitha premisat e të gjitha lëmive, ndër to edhe shëndetësinë, atëherë duke pasur parasysh se gjendja në shëndetësi në përgjithësi nuk është shumë e favorshme vërtetë do të isha një zë i fuqishëm për realizimin e kërkesave të qytetarëve të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, kjo është arsyeja që kam vendosur të kandidoj për deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha Tolaj.

Duke e vlerësuar gjendjen në shëndetësi si jo shumë të favorshme, Tolaj thotë se qeveria e re duhet të ketë prioritet sigurimet shëndetësore si dhe specializimin e mjekëve të rinj.

Ortopedi tha se duhet të krijohet një fond i veçantë ku do të kontribuonin edhe qytetarët edhe shteti në mënyrë që të ketë edhe trajtim dhe shërbime shëndetësore të njëjtë për të gjithë.

Ndërsa për mjekët e rinj, Tolaj tha se duhet të bëhet një listë e saktë për nevojën e specializantëve në mënyrë që mjekët e rinj të marrin specializime adekuate dhe të kenë shtrirje proporcionale në të gjithë vendin.

Tolaj: Prioritetet e qeverisë së re për shëndetësinë

“Duke e bazuar në planet dhe programet e qeverisë në sektorin e shëndetësisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një ndër prioritetet e para kisha me e vendos sigurimet shëndetësore nëpërmjet fondit të sigurimeve shëndetësore duke mbledhur premiumet për secilin kategori të qytetarëve, duke filluar prej bujqve e deri te personat apo zyrtarët më të lartë shtetërorë të cilët i kanë pagat e përcaktuara sipas ligjeve të Kosovës në fuqi. Kjo nënkupton se secili person qoftë bujku siç e përmenda, duhet të participojë ndoshta me një shumë simbolike në mënyrë që të krijohet një fond shumë i veçantë dhe përkundër kësaj edhe qeveria është e obliguar që të ketë një buxhet të konsoliduar pikërisht për këto në mënyrë që të fillohet me implementimin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që të gjithë personat të kenë trajtim të njëjtë adekuat në të gjitha institucionet pu blike shëndetësore. Pikë tjetër, nevoja për ndryshimin në shëndetësi e kisha përmend edhe jetësimin e implementimit apo futjes me pagesë për të gjithë punëtorët shëndetësorë për rrezikshmërinë në punë e cila nënkupton që të gjithë personeli shëndetësor të cilët në vazhdimësi i nënshtrohen rrezikut në punë, ata që të kompensojnë me pagesë shtesë e cila iu takon edhe me ligjet në fuqi. Përveç kësaj kisha potencuar edhe nevojën që çdo spital regjional edhe Qendra Klinike Universitare që të përpilojë në mënyrë proporcionale sipas nevojave ndarjen e specializimeve të kategoritë e veçanta, specializime specifike, në mënyrë që të gjithë mjekët e rinj të marrin specializime adekuate dhe që të kenë shtrirje proporcionale në të gjithë vendin”, tha Tolaj.

Megjithatë, shëndetësia nuk është prioriteti i tij i vetëm, pasi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës thotë se do të kontribuojë edhe për arsim cilësor e zhvillim ekonomik.

Me bagazhin e tij profesional dhe intelektual, Tolaj u shpreh se pret besimin e qytetarëve të Kosovës për liderin Ramush Haradinaj dhe për të personalisht më 6 tetor dhe elektorati të unifikohet rreth konceptit që garanton 100% shtet, dinjitet, siguri, rend e ligj dhe sovranitet.

Si drejtor i Klinikës së Ortopedisë në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Tolaj tha se ka shënuar suksese të mëdha qoftë në aspektin profesional por edhe në atë të infrastrukturës brenda klinikës.

Tolaj: Ja pse qytetarët duhet të më votojnë mua më 6 tetor

“I gjithë rrugëtimi im jetësor është një dëshmi se populli duhet të më besojë mua më 6 tetor. Kisha filluar prej angazhimeve dhe aktiviteteve të mija në aspektin kombëtar e pastaj edhe në atë profesional në vazhdimësi për çka edhe i dëshmuar vite me radhë në lëmine e ortopedisë si kirurg, vetëm tani veç i mirënjohur, si dhe rezultatet e mija të cilat janë evidente, te prekshme dhe të pranuara në Klinikën e Ortopedisë prej fillimit të udhëheqjes së klinikës në cilësinë e drejtorit ku në vazhdimësi kemi bërë ndryshime pozitive qoftë në aspektin profesional po ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës brenda klinikës prandaj kisha thënë se me plot përgjegjësi se gjithë ky rrugëtim imi në të gjitha këto sfera si në aspektin kombëtar, profesional dhe intelektual është një dëshmi e fuqishme dhe e mirë se vërtetë populli duhet të më besojë dhe ta kem përkrahjen dhe besimin e tyre me datë 6 tetor”, tha Tol aj.

Ndryshe, doktor Arbër Tolaj garon me numrin 67 në listën për deputetë të koalicionit AAK-PSD.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat