Osmani: Kundërshtarët kishin tentuar të mblidhen në Mitrovicë, e Mitrovica është këtu me LDK-në

Aktuale

Osmani: Kundërshtarët kishin tentuar të mblidhen në Mitrovicë, e Mitrovica është këtu me LDK-në

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 21:30
Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot përkrahësit e saj në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ka shënuar ditën e parë të fushatës zgjedhore.

Aty kryetari i LDK-së ka thënë se Kosovën në mandatin e ardhshëm do ta qeverisë LDK në krye me Vjosa Osmanim, për të cilën tha se do të marrë vendime të mëdha e në të cilat e ka përkrahjen e plotë të LDK-së. E Vjosa Osmani e cila pretendon të jetë shef qeverie pas zgjedhjeve të 6 tetorit, tha se askush nuk mund ta ndalë fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që sipas saj po hyn në zgjedhje më e bashkuar se kurrë.

Isa Mustafa tha se kanë vendosur që me përkushtimin më të madh të qeverisin me Kosovën, në krye me Vjosa Osmanin.

Mustafa: LDK ka vendosur të qeverisë Kosovën në mandatin që vjen

“Me përkushtimin më të madh, LDK-ja ka vendosur të qeverisë Kosovën në mandatin që po vjen, dhe nuk ka askush që na ndal që ne të qeverisim. Ne kërkojmë ta kemi përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, që të qeverisim mirë këtë vend, që zgjidhim sfidën që ne do të sfidohemi, që ta çlirojmë këtë vend nga korrupsioni, grryerja nga brendshme e shtetit të Kosovës, të tregojmë se ne mund t’ia dalim, mund ta bëjmë një shtet me vlera demokratike, një shtet në të cilën do të gëzon liria e qytetarit, se ne do të arrijmë të thellojmë bashkëpunimin me gjitha vendet e Bashkimit Evropian, dhe të bëhemi pjesë e BE-së, sepse kemi rini evropiane dhe jemi shtet evropian, dhe askush nuk mund të mohoj këtë gjë”, tha Mustafa.

Mustafa foli edhe për kufijtë e Kosovës, ku tha se çdo pëllëmbë e vendit është territor i Republikës së Kosovës dhe as nuk mblidhet as pjesëtohet.

Mustafa: Në qeverinë e LDK-së as nuk e mbledhin shtetin as pjesëtojmë

“Kosova dhe ne kemi një shtet, ky shtet është Republika e Kosovës, është shteti i Ibrahim Rugovës. Ne këtë shtet në qeverinë tonë as nuk e mbledhim dhe as nuk e pjesëtojmë. Çdo pëllëmbë e këtij vendi është territor i Republikës së Kosovës, dhe i takon Kosovës. Ky është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe këtë qëndrim do ta respektoj Qeveria jonë e ardhshme, në krye me Vjosa Osmanin”, tha ai.

E Vjosa Osmani, kandidate për kryeministër nga kjo parti, tha se LDK sot është me bashkuar se kurrë dhe se nuk ka asgjë që mund të ndalë fitoren e saj.

Osmani tha se fitorja e LDK-së do ta kthejë Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira prej ku sipas saj e larguan pushtetarët e papërgjegjshëm dhe të padijshëm.

Osmani: Sfidat i kemi tejkaluar falë presidentit Rugova dhe sakrificës së heronjve

“Nuk ka asgjë në botë që mund ta ndal rrugën që e kemi nisur, rrugën e fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida, të cilat i kemi tejkaluar falë vizionit largpamës të ideatorit dhe themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit tonë historik Ibrahim Rugova. Si dhe falë sakrificës, e luftës së popullit tonë për liri, përkulem sot dhe çdo ditë, pa sakarinës sublime të familjes Jashari dhe të gjithë heronjve dhe heroinave të Kosovës, falë të cilëve ne jemi sot këtu dhe angazhohemi për Kosovën”, tha Osmani.

Osmani u zotua se do të jetë pranë qytetarëve prej 6 tetorit, pa bërë asnjë dallim.

Osmani: Krejt Kosova është me LDK-në

“Do të jem kryeministre e të gjithë qytetarëve pavarësish bindjeve politike, moshës, etnisë, gjinisë, regjionit e religjionit. Dhe këtë e dinë edhe kundërshtarët tanë politik të cilët sot kishin tentuar të mblidhen në Mitrovicën time, por s’po e shohin që krejt Mitrovicën e kemi këtu, krejt Mitrovica është këtu, krejt Kosova është këtu, krejt Kosova është me LDK-në”, tha ajo.

Ajo tha se qeveria e kaluar do të mbahet mend vetëm për skandale, ndërkohë që u zotua se me të në qeverisje do të ndermirën hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend.

Osmani: Qeveria e LDK-së do të ndërmarrë hapa të shpejtë

“Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga LDK do të shpërthejë izolimin e Republikës së Kosovës  që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneç e keqbërës. Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri mëgalomane siç ka qenë e ashtuquajtura qeveri e vendimeve të mëdha, e cila për fatin e keq të Kosovës, do të kujtohet vetëm si qeveri e skandaleve, e grykësisë dhe gllabarimeve të mëdha. Qeveria e LDK-së do të ndërmarrë hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta ër hetim të pasurisë”, tha ajo.

Osmani, para qytetarëve në sheshin kryesor të Prishtinës, në hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore tha se ora e ndryshimit të madh po vjen, dhe se më 6 tetor do t’i thuhet lamtumirë shpërdorimit dhe qeverisjes së keqe me vendin.

Në tubimin e LDK-së ka folur edhe nënkryetari i Partive Popullore Evropiane, Dara Murphy, i cili ftoi qytetarët të përkrahin Vjosa Osmanin për kryeministër, ndërkohë që tha se e mbështesin plotësisht Osmanin dhe LDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat