Milazim Krasniqi kujton momente me presidentin Ibrahim Rugovën

Aktuale

Milazim Krasniqi kujton momente me presidentin Ibrahim Rugovën

Nga: A.SH Më: 25 shtator 2019 Në ora: 22:15

Profesori Milazim Krasniqi ka treguar se duke i rënë sheshit të kryeqytetit ka hasur në tubimin e LDK-së dhe se ka takuar simpatizantë me flamuj të LDK-së në duar dhe duke lëshuar thirrje entuziaste.

Ai ka kujtuar momente nga koha e atëhershme, kur ishte pjesë në themelet e saj.

Postimi i plotë:

Pasi dola nga emisioni “Imazh” dhe e fala akshamin në Xhaminë e Madhe, u nisa drejt sheshit, me synimin të ndalesha në librarinë “Dukagjini”, për ta riblerë librin “Për filozofinë dhe shkencën” të Karl Poperit, të cilin ma ka marrë dikush e nuk ma ka kthyer. (Mos po u duket disi si eklektizëm postmodernist? Unë kështu funksionoj. ) Kur mbërrita te Unioni, e pashë që sheshi ishte i mbyllur: ishte një miting i LDK-së, me shumë njerëz. Për të mos hyrë në mesin e turmës, i rashë anash për te libraria. Por, nëpër një pjesë të sheshit takova disa grupe simpatizantësh të LDK-së, që po rendin drejt mitingut, me flamuj të LDK-së në duar dhe duke lëshuar thirrje entuziaste. Njëri grup e identifikova, ishin nga Peja, por meqë Shpendi është kujdesur që sheshi të jetë gjysmerrësirë, shumicën nuk e identifikova se nga po vinin. Por, dukeshin që kishin ardhur nga larg. Vura re se dy-tre veta më shikuan si me habi. Por unë u ndjeva i kënaqur nga ajo frymë entuziaste e atyre njerëzve të panjohur, të ardhur nga Peja e nga viset të tjera të Kosovës, në një miting të LDK-së, në kryesheshin e kryeqytetit tonë. Në një vend të lirë. Unë nuk kam sot asnjë lidhje me LDK-në. Por emri dhe kontributi im është në vetë themelet e saj. Edhe po të dua ta heq, nuk mundem. Edhe po të duan ta heqin, nuk munden. Aty është e aty mbetet. Jo në mitingjet e tashme, por në themelet e themelimit. Vërtet, u ndjeva i kënaqur që kam pasur fatin t’i shërbejë asaj kauze, në atë kohë të lmerishme. Atëherë nuk kishte vend për festë. E gjitha ishte sprovë dhe rrezik. Pasi librin nuk e gjeta a ste “Dukagjini” u nisa tatëpjetë sheshit. Dikur në të dyja anët e rrugës ishin blirët. Me Ibrahimin shëtisnin shumë kësaj rruge, veçmas kur çelnin blirët. Ai e kishte shumë qejf erën e tyre, thoshte se ia kujtonin vendlindjen. E pra, kjo jetë në këtë botë kështu është, e shkurtër dhe kalimtare. Lumë kush arrinë të lërë një shenjë me punë të mira në këtë botë! Ndërsa, shpërblimi final nuk është këtu, për askend. Është vetëm në gjykimin e Zotit të Botëve. Paqe për të gjithë! 25 shtator 2019)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat