Rrustem Leti, afaristi që kërkon të kontribuojë për vendin edhe përmes politikës

Aktuale

Rrustem Leti, afaristi që kërkon të kontribuojë për vendin edhe përmes politikës

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 17:58
Rrustem Leti

Afaristi i njohur Rrustem Leti kandidon në listën për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me numër 94 në listë, Leti tha se vendosi që përpjekjet e tij për ndryshim dhe kontribut për shoqërinë t’i vazhdojë edhe në politikë.

Gjatë studimeve, u arrestua nga forcat serbe, duke qëndruar i burgosur politik gjatë luftës në Kosovë, por u lirua në fund të vitit 1999 bashkë me shokët e tjerë nga burgu i Mitrovicës së Sremit. Pas lirimit dhe çlirimit të Kosovës i gjithë aktiviteti tij ishte i fokusuar në biznes.

Në vitin 2006 u angazhua si pjesëtar i Policisë së Kosovës në njësi të ndryshme të specializuar ku shërbeu me nder deri para pak kohësh.

Në pranverën e vitit 2007 themeloi biznesin familjar në fushën e ndërtimtarisë kompaninë “Letaj” me seli në Gjakovë, e cila vazhdon të ketë suksese, ndërsa në vitin 2017, kompania e tij u angazhua edhe në fushën e prodhimtarisë duke filluar ndërtimin e fabrikës së quajtur “Lefix”.

Rrustem Leti për “Kandidatët” në KosovaPress tha se iu bashkua LDK-së dhe një grupi të njerëzve të mrekullueshëm të cilët kanë vullnet për të punuar ndershëm dhe me profesionalizëm për të mirën e vendit.

Ai shtoi se nderi dhe besimi që iu dha nga Lidhja Demokratike e Kosovës ia rikthen fuqishëm motivin që të jetë i përkushtuar dhe i përgjegjshëm në këtë rrugëtim të ri me, siç e quan ai LDK-në, familje të madhe politike.

Leti: Mendoj të jap kontributin tim në përmirësimin e gjendjes në vend

“Duke parë gjendjen dhe të rinjtë tanë që kanë humbur shpresën për vendin e tyre dhe ka humbur disponimi i tyre që të jetojnë në këtë vend kam menduar që mund të jap një kontribut të vogël për ta”, u shpreh Leti.

Leti zotohet të punojë me të gjithë potencialin e tij dhe përvojën që ka si afarist por edhe në Policinë e Kosovës ta shfrytëzojë në karrierën e re politike.

Përpos biznesit, ai tha se synon të japë kontribut edhe në arsim e shëndetësi. Madje lidhjen mes arsimit dhe biznesit e sheh si shumë të rëndësishme për të kuptuar nevojat e tregut të punës.

Leti: Arsimi, shëndetësia dhe biznesi në fokusin tim

“Sa i përket fushave, mendoj se është arsimi, mjekësia dhe është biznesi. Ne duke zhvilluar biznesin mendojmë që mund të hapim vende të reja pune për të rinjtë tanë, ne duke punuar dhe kontribu që të kemi një arsim cilësor dhe të punojmë bashkë edhe arsimi, edhe bizneset që të koordinohemi mirë me ta mendojmë që mund të ngrijmë në një cilësi edhe në arsim edhe në biznes, kjo është ajo që kam menduar që mundem përmes saj të japim kontributin tim, por edhe partia ime po ashtu ka të njëjtin vizion”, vijoi Leti.

Leti tha se është i interesuar që ta bëjë Kosovën një vend atraktiv për të rinjtë në mënyrë që të mos largohen nga vendi dhe të jetojnë dhe punojnë këtu.

Ai tha se prej pesë vitesh mbështet një klub futbolli të të rinjve të Gjakovës, ndërsa do të tregohet kaq përkrahës ndaj kauzave të të rinjve edhe në rast se merr besimin si deputet.

Leti: Politika deri më sot dështoi me të rinjtë

“Padyshim që do të punojmë për këtë, padyshim që politika jonë deri më sot ka dështuar pikërisht në këtë pikë sepse nuk jemi koncentruar sesi të punojmë sesi të kontribuojmë, sesi të rrethojmë komunitetin dhe shoqërinë tonë dhe si të punojmë me fëmijët tanë, të rinjtë tanë që ata ta shohin veten këtu, se ata të kenë perspektivën këtu, ta kenë një siguri më të madhe të jetojnë në këtë vend”, tha Leti.

Po ashtu, kandidati i LDK-së për deputet i cili është nominuar nga dega e Gjakovës thotë se nuk do ta harrojë komunën prej nga vjen. Sipas tij, do të orientohet në adresimin e shqetësimeve të bizneseve dhe të kthehen investimet në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat