AKR premton luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Aktuale

AKR premton luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 18:11
Foto nga takimi

Aleanca Kosova e Re në ditën e dytë të fushatë zgjedhore para qytetarëve të Ferizajt ka shpalosur programin e saj dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

Duke shpalosur prioritetet për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare, zëvendës presidenti i kësaj partie, Vesel Makolli ka premtuar zhvillim në fushën e arsimit, ekonomisë dhe shëndetësisë.

Ai ka kërkuar votën për koalicionin Nisma-AKR- PD pasi sipas tij vetëm duke e votuar këtë koalicion mund të nxirret shteti nga gjendje e rëndë me të cilën po ballafaqohet.

Makolli: Ne do të krijojmë kushte ekonomike për qytetarët

"Shtyllat kryesore ekonomia, arsimi, shëndetësia janë në gjendje të mjerueshme, çdo gjë varet nga zhvillimi ekonomik. Një thënie thotë se një popull i pa arsimuar mund të manipulohet lehtë - këtë shqiptaret e kanë ndier në kurrizin e vet... Ne jemi ata që me programin e tyre do ta përmirësojmë arsimin dhe do të krijojmë kushte edhe ekonomike dhe prosperuese", tha ai.

Ndërsa, kandidati për deputet nga Partia e Drejtësisë, Ferid Agani tha se qytetarët e Kosovës duhet të votojnë ndershmërinë dhe profesionalizmin e koalicionit Nisma-AKR-PD e jo, siç u shpreh, arrogancën e partive tjera politike, e cila sipas tij duke u ripaketuar nga zgjedhjet në zgjedhje e kanë varfëruar qytetarin e Kosovës.

Agani tha se ky koalicion ka kuadro dhe profesionistë përmes kandidatëve për deputetë, të cilët mund të realizojnë premtimet e dhëna.

Agani: Votoni për ne, jo për ata që hutojnë popullin e lodhur

"Ju ftoj që të votoni ndershmërinë dhe profesionalizimin tonë, dhe jo arrogancën politike të atyre që duke e ripaketuar në parulla të tyre politike premtimet e pa plotësuara, nga zgjedhjet në zgjedhje mundohen të hutojnë sërish popullin e dëshpëruar të papunë dhe të lodhur. Në përpjekjen e verbër për të ardhur deri te pushteti në të cilin kur arrijnë humben nga kompleksi i punëve të shtetit dhe si rrugëdalje shohin keqpërdorimin e pozitave shtetërore për interesa personale, familjare, partiake ose klanore", u shpreh Agani.

Kandidati për deputet nga Aleanca Kosova e Re, Islam Pacolli tha se AKR në krye me Behgjet Pacollin është partia që mund ta luftojë korrupsionin dhe mund ta zhvillojë ekonomikisht Kosovës.  Teksa ka ftuar qytetarët që mos të dëgjojnë demagogji, tha se ata që flasin shumë kurrë nuk kryejnë punë.

Pacolli: Njerëzit e korruptuar nuk mund ta luftojnë korrupsionin

"Ata që do ta luftojmë jemi ne. Do ta luftojmë korrupsionin, për asnjë kusht nuk do të lëshojmë që korrupsionin të shkojë përpara. Ata të cilët nuk e zhvatin këtë vend Kosovës, që e ngritin zhvillimin ekonomik, është AKR në krye me Behgjet Pacollin. Kurrë dikush që është i korruptuar, nuk mund ta luftojë korrupsionin se e ka mizën pas veshi", tha ai.

Kandidatët për deputetë nga Kuvendi i Kosovës nga AKR janë Behgjet Pacolli, Mirlinda Sopi-Krasniqi, Islami Pacolli, Refiqe Tërnava, Vesel Makolli, Fatmir Matoshi, Ekrem Mustafa, Sevdije Lama, Sedat Ismajli, Skender Avdyli, Avdullah Mehmeti, Alma Lamqja, Xhylie Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat