Veseli në Has: PDK e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit

Aktuale

Veseli në Has: PDK e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 18:30
Foto nga tubimi

( E plotësuar) -  Kandidati për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli, ka thënë se qytetarët e vendit e besojnë partinë që e udhëheqë për shkak së është parti që merr vendime.

Ai në një takim me banorët e Hasit të Prizrenit, tha se PDK-ja është e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Veseli: Oponentët tanë po çuditen

"Oponentët tanë po çuditen dhe nganjëherë edhe po mallkojnë pse po përkrahemi, pse qytetarët e besojnë PDK-në. E besojnë se nuk po shan, e besojnë se nuk është e fjalëve, po merr vendim, është e vetmja parti që merr vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Është parti e cila ka projekt konkret, i din hallet e qytetarëve të vendit të vet, i din cilat janë problemet, cilat janë ballafaqimet, është papunësia, hajde të merremi me këtë pjesë, ta fuqizojmë ekonominë, e si mund ta zhvillojmë ekonominë, me fjalë nuk zhvillohet, zhvillohet përmes një koncepti i cili është i ndërmarrësisë dhe ekonomi e dijes", tha Veseli.

Veseli nga Hasi ka premtuar se në qeverisjen e tij do të ndihmojë të rinjtë e vendit, sidomos ata që orientohen në fushën e teknologjisë së informacionit.

Veseli përkrahje premtoi edhe për fermerët, ndërmarrësit, pensionistët dhe ish-luftëtarët e UÇK-së.

Veseli: Kam me i përkrahë pensionistët

"Kam me i përkrahë pensionistët, ky është mesazhi, nuk kam me i lanë nën lëmoshë. Çdo vit kanë me iu rritë për 20 përqind pensionet, kjo i bie për 4 vite 80 përqind, mbajeni në mend sot. Kam me i përkrahë bashkëluftëtarët e UÇK-së, nuk lejoj që ata me kalu në lëmoshë, do t’i përkrahen fuqishëm. Së pari iu kisha lut juve mos i leni mashtruesit me qenë me neve, pasi nuk kanë qenë në luftë, e para. E dyta, luftëtarët të cilët kanë qenë në UÇK nuk guxojnë me mbet në lëmoshën e 170 eurove", tha ai.

Pretendenti për kryeministër, Kadri Veseli ka premtuar se do të mbështesë familjet e dëshmorëve, ku tha se ata do të marrin pensionet edhe për heroin edhe për martirin.

Veseli: Është moment referendumi

"Është moment referendumi, në cilin drejtim do të shkojë Kosova, a do të shkojmë në drejtimin euroatlantik, në drejtimin e një Kosove të zhvilluar ekonomikisht, një Kosovë e cila është shumë fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Apo do të shkojmë të merremi me njëri tjetrin, me u nda për flamuj, a flamuri shtetëror apo kombëtar, me u nda a Republika e Kosovës a bashkimi kombëtar. Këto nuk na qojnë askund, ne duhet të bëhemi bashkë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, është i qytetarëve, është i 93 përqind shqiptarëve të cilët jemi ne. Hajde ta bëjmë këtë vend më të mirë, kështu që bashkohuni më 6 tetor mos u ndani", tha Veseli.

Ndërkaq, Adem Morina kryetar i degës së PDK në Has, tha se qytetarët e Hasit dhe të Kosovës kanë njëmijë arsye për ta votuar PDK-në.

Morina: Kemi më shumë se njëmijë arsye pse duhet votuar PDK

"Ne kemi më shumë se njëmijë arsye pse duhet votuar PDK. PDK është parti e vendimeve, është parti përmes së cilës Kosova ka kaluar një sërë vendimesh, duke nisur nga liria, nga shpallja e pavarësisë, shtetndërtimi e të gjitha me radhë. Andaj ne duhet t'i besojmë fuqishëm dhe nga këtu z. kryetar ju themi Hasi është po me PDK dhe po fitores", tha ai.

Kandidati për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli, gjatë ditës ka mbajtur tubime edhe në Dragash dhe në Zhur.

***

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës Kadri Veseli po merr pjesë në tubimin qendror me qytetarët e Prizrenit. 1

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat