“Thaçi dhe Pacolli dështojnë sërish në New York”

Aktuale

“Thaçi dhe Pacolli dështojnë sërish në New York”

Nga: A.ZH Më: 27 shtator 2019 Në ora: 17:28
Thaçi me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Australi e Zelandë të Re Sabri Kiçmari, ka kritikuar ashpër presidentin e vendit Hashim Thaçin.

Kiçmari i cili është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, ka thënë se Thaçi dhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, kanë dështuar sërish në New York.

Ai ka thënë se takimet e tyre, ishin nëpër korridore dhe jo takime zyrtare ose takime pune.

Kësisoj sipas tij, ishte edhe takimi “përshëndetës” i Thaçit me presidentin amerikan Donald Trump, përcjell Bota sot.

Postimi i Kiçmarit:

Dështimi i sërishëm i Thaçit dhe Pacollit në New York

Presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli kanë publikuar pamje nga vizita e tyre në New York. Edhe këtë vit, si vitet e kaluara, ata kanë publikuar fotografi nga takimet me përfaqësues të vendeve të ndryshme. Ajo që bie në sy është fakti se shumica absolute e takimeve të publikuara, janë takime nëpër korridore dhe jo takime zyrtare ose takime pune.

Edhe takimi i Thaçit me Presidentin e SHBA Donald Trump nuk është as takim zyrtar dhe as takim pune, por një takim i shkurtër përshëndetjeje dhe fotografie, të cilin Presidenti Trump e realizon çdo shtator me shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të ndryshme.

Ajo që do të ishte me interes për publikun janë rezultatet e këtyre takimeve. Nga ajo që është bërë e ditur nga takimet e tilla, rezultatet e takimeve të këtij viti janë të barabarta me zero.

Nuk rezultoi asnjë njohje nga takimet e tilla, nuk rezultoi asnjë marrëveshje bilaterale dhe nuk rezultoi asnjë rezultat konkret.

Prandaj, është i nevojshëm një ndryshim rrënjësor i politikës sonë të jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat