Haradinaj nga Deçani flet për veteranët: Ma kanë nxi jetën tu thanë Ramushi i ka fry numrat, unë i kam thirr të mëdhenj e të vogël me luftue, marre ju koftë!

Aktuale

Haradinaj nga Deçani flet për veteranët: Ma kanë nxi jetën tu thanë Ramushi i ka fry numrat, unë i kam thirr të mëdhenj e të vogël me luftue, marre ju koftë!

Nga: N.Sh Më: 27 shtator 2019 Në ora: 18:56
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj në një tubim me qytetarë në Deçan ka folur për numrin e madh të veteranëve, për familjet e dëshmorët, për ushtrinë dhe për shumë gjëra të tjera.

Haradinaj ka kritikuar ashpër ata të cilët kanë thënë se e ka rritur numrin e madh të veteranëve.

“Marre ju koftë kujtdo që ka guxua me na fye që paska veteranë të rrejshëm në Deçan. Ku janë kanë ata në 98-99 me pa qysh u kanë ky vend. Krejt i madh e i vogël kush është kanë i pushkës u detyrua me kap pushkën. Ma kanë nxi jetën tu thanë Ramushi i ka frye numrat. Nuk kam frye numra, unë i kam thirr të mëdhenj e të vogël me kap pushkën e me luftu se nuk kem pas ka me ja majt se mrapa shpinës e kem pas familjen. Asnjë numër na se kemi shtue”, ka thënë Haradinaj nga Deçani, transmeton gazeta “Bota sot”.

Haradinaj thotë se e ka fal Zoti në këtë tokë, është i Deçanit dhe prej zori ka dalë me luftue, duke shtuar se askush prej qefi nuk lufton.

“Me i ardhë puna atdheut tim, nkofsha tu marr frymë, edhe njëherë, edhe 100 herë i mathi çizmet e dal se është vendi im, e drejta ime është populli im”, ka shtuar tutje ai.

Haradinaj ka folur edhe për autostradën e Dukagjinit për me lidh Kosovën dhe krejt shqiptarët, duke shtuar se nuk e bën për vota, pasi i kanë votat e Dukagjinit edhe para autostradës.

Haradinaj i ka thirr me dal krejt Deçani dhe krejt Dukagjini me dal e me votue numrin e tyre, që sipas tij e ka bë ushtrinë, Trepçën Kosovë 100%, numri i tij thotë se ka mbrojt Kosovën dhe e ka bë Prishtinën me ligj.

“Unë kom hy me fitua, po nuk mundem pa Deçanin. Deçani me 6 tetor nuk është mirë me nejt në shpi. E di që ka në Deçan që thojnë prina se vim edhe me dek për ty. Me 6 tetor më vyn vota juaj, mos e leni nasgja atë ditë. Kush nuk ma qet votën nuk është me mua, nuk është me vendin e vet, nuk është me ushtrinë dhe nuk është me Kosovën. Pse po them kështu, ai që e ka nda mendjen me ia qit tjetër kujt përhajr i koftë, po ai që e ka nda mendjen me ma qit mua dhe e len në shtëpi, marre i koftë. Mos e leni në shpi votën se nuk është koha me nejt në shtëpi”, ka theksuar tutje Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat