Koalicioni LDK-VV, Isa Mustafa: Gjasat janë shumë reale

Aktuale

Koalicioni LDK-VV, Isa Mustafa: Gjasat janë shumë reale

Nga: A.M. Më: 28 shtator 2019 Në ora: 11:52
Albin Kurti, Isa Mustafa

Ish kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë shpresa për një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai përmes një postimi në Facebook, konsideron se gjasat janë shumë reale për një koalicion të tillë.

Gjithashtu, ai i është kundërpërgjigjur kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli duke i thënë se “e para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në”.

Potimi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Koalicioni PAN, i drejtuar nga PDK, me Qeverinë Haradinaj, rrënoi çdo urëlidhje me BE-në dhe SHBA-të.

Kryetari i PDK-së, z. Kadri Veseli, dje në Shtërpce dhe Ferizaj konfirmoi dy gjera me rëndësi. E para, se po fiton LDK-ja dhe, e dyta, se e ka marrë vesh që s’ka koalicion me PDK-në.

Deklarata se Koalicioni ndërmjet Mustafës dhe Kurtit do të jetë koalicion i korrupsionit dhe i izolimit është huqje e llojit të vet. Por, asgjë më e mirë nuk pritet prej tij. Po e vërteton që s’po arrin të jetë politikan, por mbetet një i dështuar në zejen e vjetër të tij.

Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV, konsideroj se gjasat janë shumë reale. Ky koalicion i drejtuar nga LDK mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin dhe të hapë rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Këtë e dëshmon fakti se në qeverisjen e LDK-së nuk ka pasur asnjë aferë korruptive dhe asnjë ministër me aktakuzë dhe se në atë periudhë është nënshkruar Marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, Marrëveshja për Stabilizim-Asocim.

Me fitoren e LDK-së më 6 tetor, Kosova do të ketë qeveri evropiane me një kryeministre evropiane, e cila do ti ketë dyertë e hapura në Bruksel dhe Washington.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat