Hamiti: LDK-ja ka zgjuar elektoratin e fjetur, ka bindur të pavendosurit

Aktuale

Hamiti: LDK-ja ka zgjuar elektoratin e fjetur, ka bindur të pavendosurit

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 14:24
Muhamet Hamiti

Muhamet Hamiti, kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se kësaj here i ka hyrë seriozisht garës për të qenë i zgjedhur i popullit.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, e më parë edhe punonjës në Presidencën e Ibrahim Rugovës dhe atë të Fatmir Sejdiut, ka thënë LDK-ja kësaj here do të jetë fituese e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme.

“Është frymë e fitores, ndoshta dikujt i duket klishe, por po e ndjejë këtë në takimet që po i realizojmë në Prishtinë, Llap dhe gjithandej. Në Prishtinë ishte hapje e madhe, dëshmi e frymës së fitores. Brenda të gjitha gjeneratave të LDK-së ka një entuziazëm, ka një ringjallje të elektoratit të fjetur, madje edhe të atyre të të pavendosurve”, ka shprehur bindjen Hamiti.

“Ndoshta nuk është modeste ta them, por kemi listën më të mirë të kandidatëve për deputetë”, ka thënë më tej ai, në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka dijen e nevojshme për udhëheqjen e Kosovës.

“Kosova kurrë nuk ka qenë më keq se në këtë fazë”, ka thënë ai.

Kur ka folur për qeverisjen e kaluar në raport me dialogun me Serbinë, ai ka thënë se as kryeministri Ramush Haradianj nuk ka pasur të drejtë të heqë dorë nga përgjegjësitë e tij kushtetuese në udhëheqjen, e as presidenti Hashim Thaçi nuk ka guxuar që t’i hyjë aventurave të tij për ndryshimin e kufijve.

Ka folur edhe për ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, për të cilin ka thënë se në një shtet tjetër, ai “ose do detyrohej të shkonte vet ose do të shkarkohej, për mënyrën se si e ka udhëhequr politikën e jashtme”.

“Pacolli i ka bërë dëme Kosovës”, ka thënë Hamiti.

Sipas tij, dialogu me Serbinë duhet të vazhdohet mes dy shteteve, e jo mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Duhet një dialog trelateral, ne Serbia dhe miqtë tanë”.

Kur ka folur për taksën, profesori universitar ka thënë se “dialogu nuk mund të mbetet kleçkë për Kosovën, e as taksa nuk mund të mbetet kleçkë për dialogun”.

“Ne jemi të interesuar ta përfundojmë çështjen e marrëdhënieve me Serbinë. Do të kërkojmë përfshirjen e SHBA-së në dialog”, ka thënë Hamiti.

LDK-ja, sipas Hamitit, do të duhet të rimëkëmbë Kosovën e rrënuar ekonomikisht e kulturalisht.

“Dialogu nuk do të jetë puna më e madhe e Qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga LDK-ja”, ka thënë ai.

Hamiti ka thënë se LDK-ja “nuk do të bëjë si këta që thoshin Qeveri e vendimeve të mëdha, e që merrnin vendime të mëdha e të këqija për vendin”, duke përmendur faljen e borxheve ambalazhuesve të ujit, 53 milionshin për Bechtel Enka-n, e vendime të tjera.

“Nuk do të kemi qeveri të feudeve siç ishte kjo”, ka thënë ai.

Kur ka folur për kundërkandiatët e Osmanit, Hamiti ka thënë se “edhe Thaçi që tash është president që hijen e ka në PDK, por edhe Kadri Veseli janë shëmbëlltyrë e një sistemi të korruptuar, ku nuk ka ndarje të pushteteve dhe këtë mosndarje e përdorin për të ngritur aktakuza e procese gjyqësore, dhe për t’i kthyer më pas po ata njerëz në skenën politike”.

Sa i përket kandidatit të Nismës, Fatmir Limaj, ai ka thënë se “nuk bën se as që mund të fitojë”.

thotë sa për të thënë, por e di edhe ai që nuk mund të fitojë”, ka thënë Hamiti.

“Kurtit do t’i duhet të shohë nëse partia e tij dhe ai do t’ia dalin që të bashkëpunojnë me LDK-në, për të marrë hisen e vet në qeverisje. Për të udhëhequr duhet të presin”, ka thënë Hamiti.

Ai ka thënë se Vetëvendosje është opsioni i parë për koalicion qeverisës në mandatin e ardhshëm, por “ata me ne duhet të bien dakord për programin e përbashkët qeverisës”.

Kur është pyetur se pse edhe kaq vite pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK-ja thirret në figurën e tij për të fituar vota, Hamiti ka thënë se “ai është ati themeltar i shtetit të Kosovës”.

“Në shtet tjera trashëgimia e etërve themeltarë kultivohet dhe çmohet”.

Sipas tij, LDK-ja i ka ofruar edhe Ukës edhe Teutës, të dy ish-deputetë, pasardhës të Ibrahim Rugovës, që të hyjnë në listën për deputetë.

“Teuta është tërhequr vetë për shkak se ka thënë se dëshiron të vazhdojë studimet. Ka pasur diskutime me Ukën, por ashtu ka qenë marrëveshja. LDK-ja i ka punët mirë me familjen Rugova gjithsesi, dhe me të gjithë të tjerët”, ka thënë Hamiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat