KQZ për padinë e Avokatit të Popullit: Zbatuam ligjin për zgjedhjet

Aktuale

KQZ për padinë e Avokatit të Popullit: Zbatuam ligjin për zgjedhjet

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 14:29
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mos komentojë shumë gjatë padinë që Avokati i Popullit i bëri këtij institucioni një ditë më herët.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj, por me këtë nuk po pajtohet Avokati i Popullit. Ky institucion ka paditur KQZ-në lidhur me shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Avokati thotë se KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nuk e komentojnë padinë në fjalë pasi ajo tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai ka treguar për kp, se ky institucion ka mbikëqyrur zbatimin e nenit 27 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me kuotën gjinore.

Elezi: KQZ ka garantuar zbatimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme

“Ajo çka ne mund të themi është se KQZ-ja ka mbikëqyrur dhe garantuar zbatimin e nenit 27 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ku është e përcaktuar çështja e kuotës gjinore. Në nenin 27 thuhet se në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku 30% janë meshkuj dhe së paku 30% janë femra. Mund t’iu konfirmoj se listat të cilat janë sjellur nga subjektet politike janë shqyrtuar edhe nëse janë në përputhje me këtë nen të këtij ligji”, tha Elezi.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar që KQZ-ja të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Avokati i Popullit ia ka bashkangjitur padisë në fjalë kërkesën për masë të përkohshme në procesin zgjedhor, mbi bazën e argumenteve që parashtron padia në fjalë dhe i kërkon Gjykatës aprovimin e kësaj mase, me ç’rast KQZ-ja, si palë e paditur, do të duhej t’i rishikonte listat e partive politike, në mënyrë që ato të jenë në pajtim me dispozitat në vijim Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, paragrafi 8: ‘Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse’. Neni 14: ‘Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj.

Ligji për Barazinë Gjinore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, ndërsa KQZ-ja pas kësaj ka organizuar me të njëjtin ligj që e zbaton aktualisht dy procese zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe lokale në vitin 2017.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës është miratuar nga Kuvendi në qershor të vitit 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat