AAK-PSD premtojnë shkollim të lartë falas dhe rritje të buxhetit për arsim për 50%

Aktuale

AAK-PSD premtojnë shkollim të lartë falas dhe rritje të buxhetit për arsim për 50%

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 13:09
AAK-PSD premtojnë shkollim të lartë falas dhe rritje të buxhetit për arsim për 50%

Ish-deputetët e legjislaturës së kaluar së Kuvendit të Kosovës, ai i PSD-së, Driton Çaushi dhe ajo e AAK-së, Teuta Haxhiu kanë shpalosur programin e koalicionit që përfaqësojnë në fushën e arsimit.

Sipas tyre, koalicioni AAK-PSD do të përkushtohet që arsimi të jetë gjithëpërfshirës, cilësor, që zhvillon talentet dhe realizon potencialin e qytetarëve. E gjitha kjo përmes rritjes së buxhetit për arsim për 50%.

Çaushi tha se krahas tjerash, shkollimi falas në të gjitha nivelet e saj është një ndër

parimet themelore të koalicionit AAK-PSD, përfshirë edhe ato të arsimit të lartë në bachelor dhe master, kjo duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike të të rinjve.

Ai tha se ndryshimet në arsim do të fillojnë me zëvendësimin e strategjisë aktuale me një të re që mundëson integrimin e të gjithëve në një sistem arsimor i cili nuk i përgatitë thjesht nxënësit e studentët për tregun e punës, por ua hap atyre shtegun për mësim gjatë gjithë jetës.

Ish-deputeti i PSD-së u shpreh se ndërhyrje kërkohet në Fakultetin e Edukimit duke rritur kriterin për pranim të mësuesve të ardhshëm, ndërsa premtoi autonomi të institucioneve që merren me cilësinë e arsimit në vend.

Ndër premtime, Çaushi përmendi dhe një bibliotekë digjitale që do t’u ofronte qasje në literaturë ndërkombëtare të gjithë studentëve dhe kontroll më të madh në të gjitha universitetet për rastet e plagjiaturave.

Çaushi: Ndërhyrja e parë në Fakultetin e Edukimit

“Pas një strategjie të përgjithshme për sistemin arsimor duhet ndërhyrë në radhë të parë në Fakultetin e Edukimit për shkak se është rasti i nevojshëm dhe i domosdoshëm që të ofrojmë përgatitje të mirëfilltë të mësuesve të cilët më tutje do të shërbejnë në shkollat e Republikës së Kosovës. Kjo nëpërmjet rritjes së kriterit për pranimin në Fakultetin e Edukimit. Do të mbështesim dhe do të ruajmë në mënyrë absolute autonominë e institucioneve që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë, pra këto do të funksionojnë sipas mandatit të tyre dhe legjislacionit aktual. Kontrolli do të jetë i shtuar për në universitete për plagjiaturën. [...] D të ofrojmë një bibliotekë elektronike për studentët ku mund të kenë qasje në literaturë cilësore ndërkombëtare. [...] Arsimi i lartë duhet të jetë falas, si për nivelin bachelor, ashtu edhe për nivelin master. Kjo d uke marrë parasysh edhe gjendjen socio-ekonomike të të rinjve tanë dhe mundësinë që duhet garantuar secilit prej tyre”, tha Çaushi.

Ndërsa, ish-deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se duhet të bëhemi gati për një botë e cila po zhvillohet në mënyrë të shpejtë nga ana teknologjike, rrjedhimisht arsimi duhet të jetë në hap me këtë zhvillim duke nxjerr pasionin e nxënësve e studentëve në pah, për t’i bërë ata bartës të këtyre proceseve.

Ajo tha se edukimi i kodimit do të jetë lëndë që do të shtohet nga klasa e gjashtë, ndërsa vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe shkollave profesionale, si do të sigurohen që çdo shkollë te ketë psikologë, ndërsa nxënësit të kenë kontrolle rutinore shëndetësore dhe shujta.

Haxhiu përmendi edhe depolitizimin e arsimit në përgjithësi të cilin tha se synojnë ta bëjnë përmes rishikimit te ligjit. Sipas saj, shqetësimi mbetet edhe punësimi partiak nëpër shkolla të cilin u zotua ta eliminojnë përmes rekrutimit digjital.

Duke folur për cilësinë në arsim, ajo tha se kërkohet një rritje e efikasitetit të punës së koordinatorëve të cilësisë dhe inspektoratit, duke premtuar edhe rritje të numrit të këtyre të fundit.

Premtimet e koalicionit AAK-PSD për arsim, ajo tha do të realizohen pasi do të rrisin buxhetin për këtë sektor me 50%.

Haxhiu: Do të rrisim me 50% buxhetin për arsim

“Depolitizimi i punësimit në arsim është nevojë urgjente dhe kjo do të ndodhë përmes transparencës në punësim dhe menaxhimit të procesit të punësimi përmes softuerit i cili siguron vlerësim meritor. Rritja e efikasitetit të punës së koordinatorëve të cilësisë dhe inspektoratit, pra bazuar në ligjin e inspektoratit nevojitet shtimi i numrit të inspektorëve dhe një koordinim i plotë me koordinatorët e cilësisë është mëse i nevojshëm. [...] Të gjitha këto që po i përmendim do të arrihen përmes rritjes së buxhetit në 50%, pra aktualisht buxheti i Republikës së Kosovës për arsim është rreth 300 milionë, ne synojmë ta rrisim 50% dhe të gjithë programin që e kemi të shkruar e realizojmë pa asnjë problem sepse e kemi hartuar me kujdes përmes rritjes së buxhetit për 50%”, u shpreh Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat