Buja: Ja pse iu riktheva politikës aktive, lufta ndaj korrupsionit do të jetë e dhimbshme

Aktuale

Buja: Ja pse iu riktheva politikës aktive, lufta ndaj korrupsionit do të jetë e dhimbshme

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 16:11
Ramë Buja

Prof. dr. Ramë Buja i është rikthyer jetës politike aktive. Pas një shkëputje gati trevjeçare, ish-ministri Pushtetit Lokal e më vonë edhe i Arsimit, është në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.

I pytur për shkëputjen e tij, Buja tha se mendoi t’i lironte vendin gjeneratës së re, mirëpo figura të rëndësishme të partisë menduan dhe kërkuan nga ai që të rikthehet politikës aktive, për të cilin ai pranoi.

Në intervistën “Kandidatët” të KosovaPress, doktori i shkenca politike tha se gjatë kësaj kohe nuk i kishte pëlqyer ajo çfarë kishte parë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga të gjitha subjektet politike.

Ai tha se shpesh fjalori i përdorur në Parlament nuk i kishte pëlqyer dhe se e kishte bërë të djersinte, ndërsa këmbëngul se kthehet në politikë me të gjithë kapacitetin e tij për të ndryshuar këtë gjendje.

Buja: Legjislatura e kaluar më bëri të djersij pasi nuk ndihesha mirë

“Unë asnjëherë nuk u largova nga politika përfundimisht, por mendova se është e rendit që të lëshoj rend për ata që vijnë pas, ose për gjeneratat e reja, megjithatë, miqtë dhe shokët që ishin në subjekt menduan se do të ishte mirë që të kyçem dhe unë nuk hezitove dhe u kyça. […] Shpesh nuk ndihesha mirë dhe djersitesha para televizorit, kjo më bëri që të mos pres shumë të më lusin sepse nuk kishte arsye të më lusin dhe u angazhova që të kontribuoj me kapacitetin tim për aq sa mundem që politika të shkojë më mirë se sa që ishte më parë”, tha ai.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Buja u shpreh i bindur në fitoren e partisë së tij dhe kandidatëve që sipas tij janë përzgjedhur me kriteret më të larta njerëzore, morale, kombëtare, politike dhe profesionale.

Buja, që është një nga protagonistët e zhvillimeve në skenën politike të Kosovës që nga lëvizja ilegale, në këtë intervistë foli edhe për kujdesin që duhet të kemi në raportet me miqtë ndërkombëtarë që sipas tij duhet t’i trajtojmë me një sens diturie të veçantë.

Arsimi dhe shëndetësia padyshim se janë në fokusin e profesorit Buja që thotë se PDK kërkon këto dy sektorë të jenë në një pozicion të dëshirueshëm dhe pastaj të vazhdohet edhe me çështje të tjera.

Buja: Tri çështjet që do t’i kem në fokus

“Unë do thosha që tash e kemi një fokus, duhet ta kemi parasysh raportet me miqtë tanë ndërkombëtarë d.m.th. marrëdhëniet e jashtme që do t’i shohim me një vështrim të veçantë, dhe me një kujdes të veçantë dhe, me një sens diture të veçantë dhe me hapa që janë shumë vendimtarë dhe shumë domethënës për ne, natyrisht arsimi është diçka që nuk mund ta tejkalojmë sepse nga ai burojnë të gjitha të mirat ose e kundërta e saj dhe shëndetësia që është një diçka primare që do duhet foksu të kjo çështje. Pastaj të tjerat vijnë me radhë e më radhë por janë këto tri çështje për të cilat jemi shumë të foksuar dhe jemi shumë të interesuar që t’i vejmë në një pozicion të lakmueshëm ose të dëshirueshëm dhe pastaj mund të ecim përpara”, vijoi Buja.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka premtuar luftë të pakomromisë ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, luftë kjo që sipas Bujës do të jetë e dhimbshme pasi mund të godasë edhe njerëz që nuk e meritojnë.

Buja e quan Veselin si shumë të guximshëm për faktin që ka larguar nga partia dhe nga postet ekzekutive njerëz me aktakuzë, pasi sipas tij, të njëjtit ende nuk janë shpallur të fajshëm ose jo.

Ai tha se ndonjëherë mund të ndodhin edhe gabime pavarësisht synimit të mirë.

Buja: Lufta ndaj korrupsionit mund të godasë edhe njerëz që nuk e meritojnë

“Padyshim, padyshim e dhimbshme. Do të godasë edhe njerëz të cilët mbase nuk e meritojnë por goditjen mund ta marrin, dhe pastaj për t’u kthyer dhe rikuperuar nuk është e lehtë sepse ne e dimë që vendimi që ka marrë shefi i partisë tonë, janë vendime shumë të guximshme, shumë të vendosura sepse njerëz që janë larguar edhe nga poste ekzekutive janë njerëz që nuk e kanë mendimin përfundimtar janë të fajshëm apo nuk janë të fajshëm, kështu që kjo mund të jetë lënduese por e kam pranuar shumë njerëzisht sepse e kam çështjen e synimit të përbashkët të subjektit që kemi dhe pushtetit të nesërm kështu që është pranuar dhe pse ndonjëherë mund të gabohet me synimin e mirë por gabimi mund të bëhet”, tha Buja.

Ndryshe, Ramë Buja si kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës në listën e Partisë Demokratike të Kosovës mban numrin 28.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat