Haradinaj: Amerikanët nuk hidhërohen kur kërkojmë shtet 100%, por gëzohen

Aktuale

Haradinaj: Amerikanët nuk hidhërohen kur kërkojmë shtet 100%, por gëzohen

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 16:26
Ramush Haradinaj

Kandidati i koalicionit AAK-PSD për kryeministër Ramush Haradinaj, ka vizituar sot fshatin Loxhë të Pejës, ku me banorët e kësaj ane ka folur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe ka shpjeguar para tyre programin qeverisës.

Haradinaj ka thënë se amerikanët nuk hidhërohen kur Kosova është e vendosur që ta realizojë shtetin 100%. Sipas tij, është e kundërta, ata gëzohen për këtë fakt.

“Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, është që interes jonë i madh është te jemi 100% shtet. Kujtohet që ne duhet të shkojmë dhe t’ua shpjegojmë aleatëve dobinë që e kanë nga shteti ynë. Për shembull,  Amerika në bazë të asaj për çfarë ne qëndrojmë, ata e zhvillojnë politikën dhe raportin e saj me ne. Na nuk i hidhërojmë ata, ne i gëzojmë ata kur i themi që jemi për shtet 100%”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se më mirë është me dhënë dorëheqje një kryeministër se sa ta dëmtojë interesin nacional.

“Nëse një kryeministër e mbron vetëm veten, bëhen dëme të paparashikueshme për shtetin”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka thënë se qeveria e tij e re do të merret me zhvillimin ekonomik, me fokus në sektorin privat.

“Në të ardhmen do ta zhvillojmë ekonominë, sektorin privat. Sektori publik është rehatuar mirë, kemi Ligj për Paga, ka paga të rritura. Po duam që ta thjeshtojmë burokracinë. Të krijojmë një fond për sigurimin shëndetësor. Arsimi do të zhvillohet bashkë me ekonominë. Jemi të vendosur që t’i bëjmë shtesat për fëmijë, t’i përkrahim lehonat dhe nënat vetëushqyese”, ka thënë ai.

Po ashtu, i nominuari për kryeministër ka bërë një rikujtim të punëve që ka kryer qeveria e tij në 18 muajt e kaluar.

“Këto dy vjet që shkuan të qeverisjes, sado që në rrethana të vështira, kemi ushtri, që Kosova të mos mbetet pa mbrojtje. Trepçën e mbrojtëm. Edhe atyre që nuk përtuan të na i rrënojnë shtëpitë, ia vendosëm taksën 100%. Taksa ka treguar se kush është zot shtëpie”, ka theksuar Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat