Mustafa: S’ka njeri në LDK që parapëlqen koalicionin me PDK-në

Aktuale

Mustafa: S’ka njeri në LDK që parapëlqen koalicionin me PDK-në

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 21:14
Isa Mustafa

Gjatë një tubimi elektoral në Prishtinë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, të dielën në mbrëmje, i ka dhënë përkrahje të fuqishme kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani dhe ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit pas zgjedhor me PDK-në.

“Dua ta përsëris atë që e ka thënë në vazhdimësi kandidatja jonë për kryeministre, Vjosa Osmani, që s’ka koalicion me PDK-në. Unë e vërtetoj dhe e përkrahë këtë qëndrim të partisë. Në LDK nuk ka asnjë njeri që parapëlqen koalicion me PDK-në. Prandaj kjo është punë e përfunduar”, ka thënë Mustafa.

Sipas kreut të LDK-së, zyrtarët e PDK-së po “brengosen dhe po qajnë pse LDK-ja po shkon në koalicion me Vetëvendosjen”.

“Ata do të flasin çdo ditë, do të thonë çdo ditë, por koalicioni me PDK-në nuk do të bëhet kurrë”, shtoi Mustafa.

Ai tha se LDK-ja dhe kryeministrja e ardhshme Osmani do ta qeverisin vendin, pasi  e ka përkrahjen e plotë të partisë, anëtarësisë dhe qytetarëve.

Kryetari i LDK-së ka thënë se këtë subjekt politik e ka mbajtur të bashkuar “rruga jonë politike, sepse jemi partia më e mirë, më e madhja, më e forta, më e suksesshmja, e cila do t'i fitojë bindshëm zgjedhjet e 6 tetorit”.

Mustafa tha se sikur në vitin 2017 qytetarët e Kosovës të votonin për Lidhjen Demokratike, sot Kosova do ta kishte më të fortë miqësinë me SHBA-në dhe BE-në, do të kishte më shumë vende pune, do të kishte liberalizim të vizave dhe nuk do të kishte keqpërdorime enorme të parasë publike.

“Ky gabim nuk duhet të përsëritet. Me votën për LDK-në dhe Vjosa Osmanin më 6 tetor, Kosova do ta ketë një qeveri që e meriton”, shtoi Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat