KMDLNJ: Serbët e Kosovës të diskriminuar dhe të pambrojtur në zgjedhjet e 6 tetorit

Aktuale

KMDLNJ: Serbët e Kosovës të diskriminuar dhe të pambrojtur në zgjedhjet e 6 tetorit

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

KMDLNJ ka reaguar kundër diskriminimit, kërcënimit dhe shantazhimit që po u bëhet liderëve serbë të Kosovës të koalicionit “Sloboda“ që udhëhiqet nga Nenad Rashiq, kandidat i këtij koalicioni për kryeministër të Kosovës.

Kohë më parë, Rashiq dhe kreu  i SLS Slobodan Petroviq kanë deklaruar se e kanë jetën e rrezikuar për faktin se nuk duan të bëhen pjesë e Listës Serbe , marionetë e Beogradit e që nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë mundësi të takohen me votuesit potencialë, nuk mund të lëvizin lirshëm për të bërë fushatë, jo vetëm në veri të Kosovës, por as në vendet në Kosovë ku jetojnë serbët lokalë.

KMDLNJ thotë se serbët e Kosovës, jashtë Listës Serbe , politikanë qofshin ata apo edhe votues i janë nënshtruar një linçimi publik nga mediat e Serbisë dhe autoritetet serbe duke filluar nga Aleksandar Vuçiq , nga Kisha Ortodokse dhe nga serbët që janë nën urdhrat e Goran Rakiqit dhe Listës Serbe.

Atyre u kërcënohet familja, i ndalin dhe i arrestojnë në kufi me Serbinë , largohen në mënyrë arbitrare nga puna sikur që shpallen si tradhtarë të popullit serb, thuhet më tej në komunikatë.

KMDLNJ ka reaguar publikisht ndaj këtyre kërcënimeve, sidomos për jetën e  Rashiq dhe Petroviq që thërrasin për respektimin e institucioneve të Kosovës dhe integrim në të gjitha strukturat e Kosovës, duke kërkuar hetim nga Prokuroria e Shtetit dhe, sipas informatave të KMDLNJ-së, hetimet janë duke u bërë.

KMDLNJ e informon opinionin se votuesve serbë të Kosovës e që nuk duan të votojnë për Listën Serbe po u shkelen në mënyrë flagrante të drejtat për të votuar sipas vullnetit dhe pa iu nënshtruar presionit, si njërën nga të drejtat elementare të njeriut dhe për këtë nuk ka reagim të duhur as të institucioneve të vendit e as të atyre ndërkombëtare .

KMDLNJ është i shqetësuar për kërcënimet e vazhdueshme që u bëhen liderëve serbë të Kosovës dhe familjeve të tyre, të cilëve u pamundësohet ta bëjnë një fushatë sikur që e bëjnë liderët shqiptarë të Kosovës dhe liderët e komuniteteve jo serbe.

Njëherësh, KMDLNJ është i brengosur që liderët shqiptarë dhe ata jo serbë e që i gëzojnë të gjitha të drejtat e të bërit fushatë, duke u sjellë në mënyrë krejtësisht oportuniste, mbase për shkak të interesit politikë (koalicion me LS) nuk e ngrenë zërin kundër kësaj padrejtësie që iu bëhet liderëve serbë të Kosovës dhe votuesve potencialë.

Edhe reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, me këtë rast është në mos përputhje të madhe me seriozitetin e situatës, andaj KMDLNJ konsideron se rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit për serbët lokalë janë të imponuara dhe të mbështetura në diskriminim, kërcënim dhe shantazh prandaj , si të tilla lehtësisht do të kontestohen.

KMDLNJ u bën thirrje subjekteve politike dhe koalicioneve garuese ta përmbyllin në mënyrë të qetë fushatën, të votojnë në bazë të vullnetit dhe të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, pavarësisht se kush do të jetë fitues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat