Për herë të pestë me radhë hapet Festivali i kafes dhe çajit në Prishtinë

Aktuale

Për herë të pestë me radhë hapet Festivali i kafes dhe çajit në Prishtinë

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 16:03
Për herë të pestë me radhë hapet Festivali i kafes dhe çajit në Prishtinë

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka marrë aromën e kafes dhe të luleve. Kjo pasi sot është hapur festivali i kafes dhe çajit, në kuadër të të cilit rreth 15 kompani kanë servuar 25 brende për qytetarët.

Zëdhënësja e festivalit, Gita Lushi, bëri të ditur për KosovaPress se ky është viti i pestë që po mbahet ky festival, ku qytetarët do të mund të shijojnë çaj dhe kafe të brendeve të ndryshme, dhe atë pa pagesë.

Lushi: 15 kompani pjesëmarrëse në festival

“Ky edicion do të zgjasë tri ditë, sot, më 1 dhe më 2 tetor, kur do të bëhet mbyllja e këtij edicioni. Në këtë edicion po marrin pjesë 25 brende nga më të ndryshmet vendore dhe ndërkombëtare, të çajit dhe kafes. Janë rreth 15 kompani, të cilat janë pjesëmarrëse në festival... Presim që vitet e ardhshme të kemi prezentë edhe brendet italiane”, tha ajo.

Lushi bëri të ditur se këtë vit kanë paraparë edhe risitë, ku përveç çajit dhe kafes, qytetarët mund të shijojnë edhe biskotat. E krejt kjo, Lushi tha se nga ora 11 deri në orën 13:30 do të bëhet nën tingujt e muzikës live.

Sipas saj, festivali çdo vit po arrin pritjet e veta, ku nga 30 mijë vizitorë sa ka pasur vitin e kaluar, sivjet pritet që ky numër të arrijë në 40 mijë.

Lushi: Kompanitë kanë për qëllim promovimin e produkteve të tyre

“Qëllimi i këtij festivali dihet që nga edicioni i parë, tash jemi në të pestin, është promovimi i produkteve të kafes dhe çajit. Kompanitë kanë për qëllim që produktet e tyre të promovohen, që qytetarët nëse nuk kanë dëgjuar ose nuk i kanë shënuar deri më tash këto produkte të kenë mundësinë t’i shijojnë këtu”, tha ajo.

Veronika Vitia nga Departamenti i Marketingut në Princ Caffe, tha se përmes festivalit synojnë të përçojnë mesazhin se edhe produktet vendore i përmbushin standardet ndërkombëtare.

Vitia: Kemi vendosur që sivjet të degustojmë të gjitha produktet tona

“Është viti i dytë që ne marrim pjesë. Siç po e shihni, në çdo kënd janë duke u degustuar lloje të ndryshe të kafes dhe çajit. Ne si ‘Princ’ kemi vendosur që sivjet të degustojmë të gjitha produktet tona, duke filluar prej fëmijëve me ‘Princ quick’ me kakao dhe me të gjitha llojet e instant”, u shpreh ajo.

Ajo ndërkohë pati një ftesë për të gjithë qytetarët.

Vitia: I ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë dhe t’i provojnë produktet tona

“Këto tri ditë i ftoj të gjithë qytetarët të vijnë për të provuar shijet tona, që të shohin se edhe ne jemi duke i plotësuar të gjitha standardet evropiane për kualitet të kafes”, tha Vitia.

Festivali i kafes dhe çajit do të zgjasë tri ditë, përgjatë të cilave, qytetarët kanë mundësinë që në sheshin “Zahir Pajaziti” të shijojnë kafe dhe çaj të brendeve të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat