Pranohen 2 mijë pako me fletëvotime nga diaspora, KQZ-ja thotë se janë të sigurta

Aktuale

Pranohen 2 mijë pako me fletëvotime nga diaspora, KQZ-ja thotë se janë të sigurta

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 10:25
Foto ilustrim

Dy mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë regjistruar deri para tri ditësh në Kosovë. Ato po ruhen në një hapësirë, e cila sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) është “e veçantë dhe e sigurt”.

Zyrtarë të saj nuk kanë saktësuar se ku gjendet ajo hapësirë, por kanë thënë se është e siguruar 24 orë nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke u përgjigjur rreth procesit të votimit të diasporës, ka thënë se aktualisht është duke u zhvilluar periudha për votim përmes postës, e cila ka filluar më 19 shtator.

Ka shtuar se fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më datën 5 tetor 2019.

“Sipas të dhënave, deri më 27 shtator kemi pranuar 2 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, ka theksuar ai.

Elezi ka thënë se numërimi i votave përmes postës bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve dhe pasi të zhvillohen të gjitha procedurat e parapara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat