PDK e LDK me më së shumti kandidatë për deputetë, të angazhuar edhe në universitete publike

Aktuale

PDK e LDK me më së shumti kandidatë për deputetë, të angazhuar edhe në universitete publike

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 12:56
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA)

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë partitë që prijnë me numrin më të madh të kandidatëve për deputetë, e që të njëjtit janë të angazhuar si asistentë dhe profesorë në universitetet publike.

Një gjë të tillë ka bërë të ditur Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila sot ka paraqitur emrat e profesorëve dhe asistentëve që gjenden në listat e partive politike si kandidat për deputetë.

Gramos Buqinca nga ORCA, tha se në prag të zgjedhjeve kanë kryer një hulumtim, i cili tregon lidhjen në mes të problemeve në arsim me procesin zgjedhor.

Buqinca: 35 profesorë ose asistent nga LDK, AAK-PSD, PDK, VV janë kandidatë për deputetë

"PDK ka 11 kandidatë, LDK ka 11 kandidatë, AAK-PSD kanë 8 kandidatë dhe VV ka pesë kandidatë, të cilët punojnë si profesorë apo asistentë në universitete publike. Ky numër i kandidatëve prej 35 vetave, të cilët punojnë si profesorë apo asistentë në universitete publike është shqetësuese për neve për tri arsye", tha Buqinca.

Sipas tij, puna si profesor apo asistent kërkon përkushtim të plotë, dhe orar prej tetë orësh, për çka sipas tij është edhe e pamundur që dikush të kryejë këtë punë mirë, kur të njëjtit kanë angazhim si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Buqinca: Papunësia 54 për qind, funksionarët e shtetit marrin nga dy paga

"Është në rastin më të mirë jo etike dhe më të keq abuzive që në një vend ku papunësia te të rinjtë është 54 për qind, që i bie çdo i dyti nga radhët tona është i papunë, një funksionar i shtetit t'i merr dy e më shumë paga nga buxheti i shtetit. Paga e deputetit është një nga pagat më të larta në vend që merret nga buxheti i shtetit. Njësoj është edhe ai i profesorit në universitet", tha ai.

Deputetët dhe qeveritarët që punojnë ne universitete, sipas tij janë vetë politizimi i arsimit. Krahas kësaj, ai tha se më e pakta që mund të bëhet në këtë rast është se nëse të njëjtit zgjidhen deputetë, ata duhet të japin dorëheqje nga puna në arsim, dhe partitë po ashtu duhet të deklarohen në zgjedhje nëse do ta ndryshojnë Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ashtu që të mos u lejohet më asistentëve dhe profesorëve të jenë deputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat