Zeka akuzon pushtetin e kaluar, thotë se vetëm PEK sjellë ndryshime

Aktuale

Zeka akuzon pushtetin e kaluar, thotë se vetëm PEK sjellë ndryshime

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 15:33
Milaim Zeka

Ishte ndër deputetët më të zëshëm të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit. Tani, synon që si bartës i listës së Partisë Euroatlantike të Kosovës të vazhdojë rolin e tij aktiv në parlament.

Milaim Zeka për “Kandidatët” në KosovaPress thotë se vetëm PEK nuk ka folur për demagogji, dhe si e tillë është e vetmja që sjellë ndryshim të njëmend.

Zeka thotë se PEK, parti kjo që në këto zgjedhje garon me 43 kandidatë, ka hyrë në garë me njerëz të kualifikuar, të dëshmuar në jetën politike dhe kombëtare, dhe si të tillë, siç tha ai, askush nuk mund t’i etiketojë për “hajni dhe për argatllëk” në raport me Serbinë.

Ai thotë se partia e tij do të krijojë një byro nacionale hetimore për të gjithë njerëzit e pasuruar jashtëligjshëm dhe do të heq TVSH-në për bizneset private.

Po ashtu, heqja e homologimit të makinave, hapja e një banke nacionale me emrin “Diaspora shqiptare”, si dhe heqja e kartonit të gjelbër, janë disa nga premtimet e tij për qytetarët e Kosovës.

Zeka: Do të bëjmë  ndryshime radikale në prokurori dhe në gjykata të Kosovës

“Do të bëjmë  ndryshime radikale në prokurori dhe në gjykata të Kosovës në bashkëpunim më ShBA-në dhe BE-në duke sjellë brenda gjykatave, policisë dhe prokurorisë 50 për qind të djemve dhe vajzave tona të cilët janë shkolluar, janë rritë dhe kanë punuar nëpër polici, prokurori dhe gjykata të vendeve  evropiane, kjo është e para; e dyta, njëra nga pikat më të ndjeshme për të mbrojtur biznesin  private për ne ka qene dhe mbetet heqja e TVSH-së në dogana. Të gjitha bizneset të cilat paguajnë TVSH në dogana janë të dëmtuara nga shteti i Kosovës, qe kaq vite, pra prej krijimit të qeverisë në 2008 e këndej këto biznese janë shkatërruar nga dogana, tjetra pse Kosova të ketë homologim të makinave, do të heqim komplet doganën për makina, do të heqim homologimin , do të heqimi doganën e makinave të reja të cilat do sillen nga vendet  e BE-së, do të hapim nj ë bankë nacionale me emrin diaspora shqiptare ku njerëzit. Diaspora jonë do t’i dërgojë të gjitha paratë për familjarët e tyre dhe do i fusim këto para në zhvillimin e biznesit, jo si ndihma sociale dhe gjithashtu do ta heqim kartonin e gjelbër”, thotë ai.

Duke vlerësuar programin e tyre, Zeka akuzon PDK-në se po ua vjedhin disa pika të tij.

Zeka: Veseli na ka vjedhur dy pika të programit tonë

“Janë dy gjëra që Kadri Veseli na i ka vjedhur këto ditët e fundit në fushatën e tij: e para ne kemi deklaru të parët se do krijojmë një byro nacionale hetimore për të gjithë njerëzit e pasuruar kundër ligjit, jashtëligjshëm, njerëzit e korruptuar”, shprehet ai.

I pakënaqur me mënyrën e qeverisjes së vendit, ai thekson se skandali më i madh që po i ndodh Kosovës është abuzimi me votat e diasporës.

Zeka: Partitë që kanë qenë në pushtet po abuzojnë me votat jashtë diasporës

“Kemi informacione të sakta se partitë që kanë qenë në pushtet përmes abuzimit të tyre kur mërgimtarët tanë kanë shkuar në konsullatë, në ambasadat jashtë, ne kemi informata të sakta mbi bazën e dëshmive se kur i kanë lënë dokumentet për të nxjerr një letërnjoftim ose një pasaportë, ambasadat tona ose personeli e ka marrë fotokopjen e dokumentit, tani në emër të këtyre njerëzve janë duke votuar në mënyrë masovike njerëzit përgjegjës të cilët punojnë në diplomacitë tona jashtë por që kanë qenë emisar të  dërguar nga partitë politike të Kosovës, duke filluar nga PDK, AAK, Nisma dhe LDK”, thotë ai.

Kritika adreson edhe për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se nuk do të duhej të kandidonte për kryeministër përsëri, pasi sipas tij, ai do të thirret prapë nga Gjykata Speciale.

Të njëjtën bindje, se do të thirren nga Gjykata Speciale, Zeka ka edhe për kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, dhe të parin e NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Zeka: Kurrë Kosova nuk do të ketë proces më të poshtër

“Kurrë Kosova nuk do të ketë proces më të poshtër, më të fëlliqtë se kësaj radhe. Vetë mënyra se si ka ra kjo qeveri, mënyra se si ka ra kjo qeveri, mënyra se si u formua qeveria e PAN-it, mos të them e Ramush Haradinajt, mos t’i bie në qafë vetëm atij sepse Ramushi ka qenë më së paku kryeministër i kësaj qeverie, por është krijuar fëlliqtë kjo qeveri, ka punuar fëlliqtë dhe është rrëzuar fëlliqtë dhe ka falimentuar nga PDK”, deklaron ai.

Duke folur për punën e tij si deputet, i pari i PEK-ut thekson se e ka dhënë provimin gjatë dy viteve të punës në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se është i vetmi deputet që ka folur për gjëra reale dhe që e mundojnë qytetarin e Kosovës.

Zeka shprehet i bindur se vetëm PEK sjellë ndryshim për vendin, si parti e cila do të investojë në tri shtylla kryesore.

Zeka: Do të investojmë në tri shtylla të kombit

“Tri shtyllat e kombit janë: arsimi numër një do të investojmë, në çdo lagje dhe në çdo fshat do të ketë çerdhe, pastaj do të tregoj se si do e krijomë buxhetin. Nën dy, arsimi kurrë në gjendje më të keqe nuk u kanë, janë hapur, është zbutur papunësia përmes studentëve dhe krejt këta studente kur kanë diploma kanë ikur jashtë Kosovës, janë hapur kolegje dhe janë pranu studentë pa asnjë kriter në mënyrë që këta studentë të përgatiten të ikin drejt BE-së. Do të investojmë në shëndetësi, do të ndërtojmë një spital modern privat për tërë territorin e Republikës së Kosovës që kurrë, kurrë, pacienti i Kosovës të mos ketë nevojë ta lëshojë territorin e Kosovës për mjekim, as në Maqedoni as në Shqipëri, as në Turqi e as në vendet e Bashkimit Evropian. Do të investojmë në prokurori dhe në gjyqësor, do të bëjmë reforma në drejtësi. Reforma të drejta e jo reforma të inatit. Do të rrisim buxhetin për gjykata dhe për prokurori”, shprehet ai.

PEK garon në zgjedhjet e 6 tetorit me 43 kandidatë dhe ka numrin 129.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat