Zeqiraj: Të gjitha nismat e Veselit për ta bërë Kosovën shtet ligjor janë mashtrime groteske

Aktuale

Zeqiraj: Të gjitha nismat e Veselit për ta bërë Kosovën shtet ligjor janë mashtrime groteske

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 18:02
Kadri Veseli

Njohësit e çështjeve politike thonë se ata që sapo kanë lënë një pushtet skandaloz, mundohet ta rimarrin atë sërish, duke përdorur madje edhe mashtrimet.

Kështu, publicisti Idriz Zeqiraj thotë se procesi parazgjedhor, fushata, po kulmon, me premtime pa doganë fare. Më të zëshme janë partitë më numerike në anëtarësi. Për të qenë më joshëse për elektoratin, partitë betohen, rrejshëm, për qeverisje të ndershme, të suksesshme, në zhvillimin dhe prosperimin e Kosovës tonë. Vështirë të besohen, meqë Kosova ka ngelur, prej dy dekadash, në tranzicion, pa shpresë tejkalimi, në një të ardhme të afërtë.

“Ëmbëlsia premtuese parazgjedhore, synon dendësimin e mjegullnajës manipuluese, deri në mashtrimin e madh. Për çudë, sapo kanë lënë një pushtet skandaloz e tërësisht dështak, synojnë, sërishmi ta rimarrin, për të gjumuar e vegjetuar në mandatin tjetër, duke zhvatur edhe ato pak pasuri të brezave shqiptarë, ende të pa privatizuara”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se më të zëshme në ftesat për marrëveshje e bashkë-qeverisëse pas zgjedhore, janë partitë e koalicionuara në PAN.

“Tashmë, të dëshmuara si parti të krimit të organizuar, deri në vrasje tinëzare të kundërshtarëve politikë; të korrupsionit, alias, hajnisë zyrtare; haraçit galopant, deri në përgjakje, po përdorin kulaçin dhe kërbaçin, për ta bindur LDK-në, për bashkë-qeverisje pas zgjedhore. Arsyeja pse LDK-ja është e pranueshme, për të gjitha partitë, shpjegohet se ajo është parti e fjalës, e besës dhe e shpresës, siç e përkufizonte urtaku kombëtar Rugovë. Besueshmërinë, fjalë-mbajtjen e saj, LDK-ja e ka paguar shtrenjtë. Sepse është rikoalicionuar me parti besëthyera, matrapaze e kriminale, siç janë partitë PDK-ja, AAK-ja, të cilat, më parë së parti, janë banda ordiniere politike”, thekson ai.

Zeqiraj thotë se gjithçka që thotë e premton kreu i PDK-së, Kadri Veseli, nuk duhet marrë seriozisht.

“Të gjitha nismat e tij, për ta bërë Kosovën shtet ligjor, për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin, janë mashtrime groteske. Përdorim për denoncim e demantim të premtimeve boshe, për luftimin e korrupsionit, faktet rrënqethëse: Ligji i sekuestrimit i Kadri Shikut, ekziston. Megjithatë, nga 189 milion euro të hajnisë zyrtare, janë sekuestruar vetëm 4 milion!!! Me këtë "arritje", sot, krenohet PDK-ja, duke proklamuar slloganin marroç "Dekada e Re!" Kjo dëshmon se PDK-ja, me PAN-in e tij kriminal, që ka kapur shtetin, e ka ngulfatur shoqërinë tonë, deri në përmasën e asfiksimit, bllokimit, me rrezikim të dështimit të shtetit të brishtë, më saktë, të prishtë”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, një marrëveshje fer, e ndershme, pas zgjedhore, në mes Vetëvendosjes e LDK-së, nën kryesimin e së dytës, do të kishte rëndësi parësore, sepse, LDK-ja, si parti akademike, do të ndikonte në emancipimin e anëtarësisë të Vetëvendosjes, pjesa absolute e së cilës, janë rinorë, e ardhmja e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat