Mustafa përjashton çdo koalicion të mundshëm me PDK-në

Aktuale

Mustafa përjashton çdo koalicion të mundshëm me PDK-në

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 20:01
Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në tubimin e sotëm me qytetarë të lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë, theksoi se me çdo kusht duhet të fitohen zgjedhjet e 6 tetorit, pasi LDK e meriton dhe ka një platformë për thellimin e miqësisë me SHBA-në dhe BE-në.

Mustafa tha se LDK duhet të fitojë zgjedhjet nacionale edhe për një arsye tjetër në të mirë të qytetarëve, pasi ka programin më të mirë për zhvillimin ekonominë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Ai edhe një herë ka treguar ‘linjat e kuqe’ për një koalicion të mundshëm pas zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

“LDK-ja nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike, kjo është qartë për të gjithë. Po ashtu, LDK-ja nuk iu ka garantuar koalicion asnjë partie tjetër, sepse ne me të tjerët do të bisedojmë dhe ne do të bëjmë koalicion me kushte të LDK-së. Me program të LDK-së, me miqësitë që ne do ta thellojmë me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Po ashtu, me ekonomi të cilën ne do ta zhvillojmë si ekonomi të tregut. Prandaj, ju ftoj që më 6 tetor të jemi bashkë, ta rrisim votën”, theksoi Mustafa.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, gjatë prezantimit të kandidatëve të lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë, tha se të korruptuarit dhe ata që kanë lidhje me krimin kurrë nuk do të kenë vend në institucionet e Kosovës.

Osmani theksoi se fitorja e LDK-së në “Kodrën e Trimave”, jo vetëm që është e sigurt, por do të jetë një fitore ‘aq e thellë sa që të tjerët do të dalin më të dëshpëruar se që e kanë paramenduar’.

“Të korruptuarit, ata që janë të lidhur me krimin, kurrë më nuk do të kenë vend në institucionet e Kosovës. Kot e kanë që po tentojnë t’i mashtrojnë qytetarët tanë, sepse qe 20 vjet mashtruan, gënjyen, zhvatën dhe kanë keqpërdor besimin tuaj. Ka ardhur koha me iu thënë ‘boll më’, prej ‘Kodrës së Trimave”, e deri në çdo cep tjetër të Kosovës dhe këtë ‘boll më’ do ta kuptojnë drejt më 6 tetor në festën tonë të madhe, ku do të festojë edhe gjithë Kosova…  Nuk ka kush që e prish festën tonë, sepse ne jemi në festë, ngase më në fund po çlirohet Kosova nga të korruptuarit”, theksoi Osmani, raporton KP.

Kryetari i Degës së LDK-së në lagjen “Kodra e Trimave”, Ismet Beqiri shprehu bindjen se 6 tetori do të shënojë fundin e hajnave, nepotistëve dhe  fajdexhinjve. Paniku i humbjes, sipas tij, ka kapluar PAN-in dhe të tjerët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat